Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

25 prill 2021 | 09:44

Në Shqipëri sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend.

Ditën e sotme, rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në tërësi, në Shqipëri janë 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor. Janë 383 njësi administrative të përfshira.

Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, 5,199 qendra votimi do të jenë të hapura në gjithë vendin.

Në Shqipëri janë regjistruar 46 subjekte politike, të shkrira në 13 parti me koalicione, që garojnë për marrjen e drejtimit të shtetit, megjithatë, vendi ka dy forca kryesore politike të cilat e kanë udhëhequr atë që nga rënia e komunizmit.

Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas tetë vjetësh në opozitë.

Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.

Këto zgjedhje mbahen në kohë pandemie dhe votuesit që u drejtohen sot qendrave të votimit duhet të kenë parasysh edhe masat kundër COVID-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Haqif Mulliqi   Nga konteksti i lidhshmërisë dhe…