Gazetarja Krelani akuzon Dritën, Prishtinën dhe Llapin për kurdisje të ndeshjeve

26 prill 2021 | 11:25

Qëndresa Krelani ka bërë akuza ndaj Dritë, Prishtinës dhe Llapit, për, siç tha, kurdisjen e ndeshjeve të Superligës.

Gazetarja e Radio Televizionit Publik të Kosovës Krelani ishte vetëm njëra prej shumë vetave që ngritën dyshime për ndeshjet e javëve të fundit në futbollin kosovar, veçanërisht për derbin e së dielës mes Dritës dhe Prishtinës.

Drita u mposht me përmbysje 2:1 nga Prishtina të dielën në Gjilan, duke e lejuar klubin nga kryeqyteti të futet bindshëm në garë për titull. Triumfi i Prishtinës erdhi vetëm pak ditë pasi ishte eliminuar prej Kupës së Kosovës pas disfatës kundër Llapit në gjysmëfinale.

Duke folur në lidhje me humbjen e Dritës, për të cilën kampionia në fuqi u akuzua edhe nga tifozët e vet për kurdisje, Krelani hodhi dyshime se gjilanasit qëllimisht e lejuan Prishtinën të fitojë.

“Shumë njerëz me të cilët kam folur, më kanë thënë se Llapi, duke mos mundur ta fitojë Superligën, bën pazare me Prishtinën që të fitojë Kupën e Kosovës dhe të dalë në Evropë”, ka thënë Krelani në Sporti Total në KTV.

Akuzat e saj vijnë pasi lideri i Superligës, Ballkani, iu drejtua me letër të hapur liderëve të vendit duke iu ankuar atyre për kurdisje në futbollin vendor.

Dyshimet e para për kurdisje u ngritën një ditë para ndeshjes, kur çuditërisht shtëpitë e basteve e favorizuan dukshëm Prishtinën për ta fituar këtë ndeshje.

Është tejet e pazakontë që një skuadër mysafire të favorizohet aq shumë ndaj një lideri dhe kampioni në fuqi.

“Si është e mundur që si mysafire, Prishtina që ndodhej në vendin e tretë në tabelë ka një kuotë më të vogël sesa Drita e cila është vendase dhe kryeson tabelën? Këto janë shqetësime, janë sinjale të cilat duhet të dërgohen”, vazhdoi me akuzat Krelani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,…