Këto janë arsyet që Gjykata Supreme vendosi ta kthejë në rigjykim rastin ‘Pronto’ (Aktgjykimi i plotë)

30 prill 2021 | 23:13

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të kthejë në rigjykim procesin gjyqësor kundër ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe të tjerëve, i njohur si rasti “Pronto”.

Supremja në aktgjykimin e saj, të cilin e ka siguruar të plotë “Gazeta Scanner” ka dhënë arsyet të cilat kanë bërë ky rast të rikthehet në gjykim.

“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se Aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nënpar. 1.12 lidhur më nenin 370 par. 7 të KPPK-së, për shkak se nuk janë dhenë arsyeje të qarta dhe konkrete të cilat shkelje konsistojnë në pjesën e arsyetimit për ekzekutimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të dënuarve sa i përket elementeve të veprave penale për të cilat janë shpallur fajtor të dënuarit.

Fillimisht duhet theksuar fakti se me aktgjykimin e shkallës së parë, të dënuarit Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Elhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi ishin liruar nga akuza për shkak se nuk ishin vërtetuar veprimet e tyre inkriminuese përkatësisht se më veprimet e tyre nuk ishin vërtetuar se personat konkret u është mohuar apo kufizuar e drejta në bazë të përkatësisë politike apo baza tjera të parapara me Kushtetutë dhe ligje të tjera. Po ashtu, bazë për lirimin nga akuza ishte konstatuar fakti se nuk është arritur të provohet fakti se kanë pasur autorizime zyrtare që përbejnë elementin konstitutivë të veprës penale. kurse gjykata e shkallës së dytë, më rastin e vlerësimit të pretendimeve ankimore, kishte gjetur se Gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vlerësuar gjendjen faktike për dy pikat e para të aktgjykimit dhe si rezultat i kësaj kishte bërë ndryshimin e aktgjykimit”, është thënë në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndërsa, duke u bazuar në përmbajtjen e kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë është parashtruar një pyetje fundamentale në këtë aspekt dhe se vepra në fjalë a mund të kryhet duke tejkaluar kompetencat.

“Andaj, duke analizuar këtë pretendim Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se duke pasur parasysh faktin se neni i Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit Nr. 03/L-111 ka përcaktuar hollësisht relacionet e deputetit me organet qendrore ekzekutive megjithëse bisedat e zhvilluara telefonike mes te dënuarve nuk mund të konsiderohen biseda të natyrës zyrtare mes të dënuarit Adem Grabovci dhe të dënuarve të tjerë. Pra, duke u bazuar në këtë rrjedh se Gjykata e Apelit nuk ka arsyetuar faktin se si është manifestuar tejkalimi i kompetencave nga ana e të dënuarve Adem Grabovci dhe Sedat Gashi, kurse bazuar ne komunikimet telefonike nuk është kontestuese se ka ndodhur”, është thënë në aktgjykim.

Më tutje, Gjykata Supreme nuk është pajtuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, ku paraqitur disa raste që kanë ndodhur në disa shtete në raport me përgjimet.

“Një çështje tjetër e rëndësishme në këtë çështje penale paraqesin pretendimet e theksuara në kërkesën e mbrojtësit te të dënuarit Adem Grabovci, përkitazi më përgjimet e komunikimeve elektronike dhe konstatimeve të theksuara në faqen 25 të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit se më rastin e pushimit të hetimit Prokuroria e EULEX-it nuk e kishte njoftuar të akuzuarin Adem Grabovci se i ishte nënshtruar masave të përgjimit të telekomunikimit, siç detyron dispozita ligjore e nenit 96 par. 9 KPP-së, kurse ky mosnjoftim konsiderohet si shkelje e minimizuar e të drejtave në procedurë dhe se shkatërrimi i materialeve i përcaktuar me dispozitën e nenit 98 par. 6 të KPPK-së jep të drejtën diskrecionale panelit shqyrtues dhe se nuk është përcaktuar apriori shkatërrimi i materialeve të siguruara përmes përgjimeve të telekomunikimit dhesë shkatërrimi i tyre mund të behej vetëm masa ishte e kundërligjshme, dhe për më tepër nuk është përcaktuar detyrimisht shkatërrimi i materialeve të mbledhura kur pushon hetimi”.

“Gjykata Supreme e Kosovës nuk pajtohet me qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë përkitazi me arsyetimin për mundësin e përdorimit të përgjimeve gjegjësisht transportimin e tyre për kundër faktit së i dënuari nuk është njoftuar për përgjimet e zhvilluar ndaj tij dhe eventualisht është pamundësuar ankesa për shkatërrimin e tyre dhe pastaj përdorimi në një rast tjetër. Për më tepër për mundësin e përdorimit, paraqitjes së ankesës dhe asgjësimin e përgjimeve të zhvilluara, vlen të përmenden disa shembuj nga praktika e GJEDNJ-së dhe atë: Rasti Malone & dhe Britanisë së Madhe ne të cilin vendim është theksuar fakti se:  ‘…ndaj personave që i nënshtrohen përgjimeve një ndër çështjet e rëndësishme është edhe çka do të ndodhë me materialet e mbledhura të përgjimeve pas përfundimit të procedurës penale dhe ruajtja nga keqpërdorimi i informacioneve të përfituara nga përgjimet elektronike…’. Rasti tjetër Bugallo & Spanjës i jep rendësi të veçantë fshirjes gjegjësisht siç është konstatuar se:  ‘…masat e fshehta të survejimit duhet të fshihen ose duhet të shkatërrohen…’”.

“Mirëpo, Gjykata Supreme nuk pajtohet me konstatimet e cituara me lartë për arsyet që do të paraqitën si në vijim: së pari këto konstatime dalin të jenë te paqarta dhe të diskutueshme se ndaj të dënuarit janë cenuar të drejtat minimale, pasi që kjo duhet shikuar prej perspektivës së si me tutje është zhvilluar procedura dhe ndonëse njoftimi për përgjimet prima facie (në shikim të parë) mund të dukët si shkelje minimale, mirëpo po të shikohet në mënyrën se si me tutje ka rrjedhur procedura penale, atëherë shkelja e këtyre te drejtave edhe mund të tejkalojë të drejtat minimale, por meqenëse, vendimi i Gjykatës së Apelit është kthyer në rivendosje, atëherë nuk i përket kolegjit të kësaj gjykata që të prejudikoi me tutje për natyrën, shkallën dhe pasojat e kësaj shkelje. Së dyti, mosnjoftimi i të dënuarit për përgjimet e zhvilluara ndaj tij pas përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë se EULEX-it sipas dispozitës se nenit 96 par. 9 i KPP-së, rezulton në pamundësinë e të dënuarit për realizimin e të drejtës për të ushtruar padi në gjykatën kompetente dhe ne bazë të së cilës do të vazhdohej procedura për trajtimin e përgjimeve sipas dispozitave të KPP-së. Gjykata e Apelit në këtë aspekt ka qasje paragjykuese me epilogun e përgjimeve elektronike duke mos vlerësuar mjaftueshëm pikën fillestare të çështjes (arsyeje e mos njoftimit) por duke kaluar më pastaj në pikat tjera përkatësisht në procesin e shqyrtimit të ankesës dhe eventualisht shkatërrimin e përgjimeve”, është thënë në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë aktgjykimin e Gjykatës Supreme për rastin  “Pronto”

https://gazetascanner.com/ekskluzive-keto-jane-arsyet-qe-gjykata-supreme-vendosi-ta-riktheje-ne-rigjykim-rastin-pronto-aktgjykimi-i-plote/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vaksina Sputnik V e Rusisë ende nuk ka fituar miratimin…