Përurohet pllaka përkujtimore në përkujtim të viktimave që ranë në urën e Lluzhanit

01 maj 2021 | 14:03

Në 22-vjetorin e rënies së 31 qytetarëve të pafajshëm, në shenjë përkujtimi, sot në vendin e rënies te ura e Lluzhanit u zbulua pllaka përkujtimore me emrat e viktimave.

Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky monument u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave.

“Për ndër të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave, kemi iniciuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore me emrat e viktimave që kanë pësuar, në mënyrë që në secilin përvjetor ta kemi një vend ku i nderojmë. Nga sot merr fund praktika që ishte deri më tani, ku homazhet e nderimet bëheshin mbi urë, duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e familjarëve”, tha kryetari Bulliqi

Kryetari Bulliqi tha se në raste si këto duhet të jemi të kujdesshëm të vlerësojmë e përkujtojmë sakrificat e popullit tonë për liri.

“Kujtimi për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve na udhëzon për punë të mira, për ecje të drejt dhe na e përkujton se rruga përpara duhet të jetë rruga e ndërtimit dhe e forcimit të shtetit tonë”, tha kryetari Bulliqi.

Gjatë ceremonisë fjalë rasti mbajti edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Bajram Ajeti. Ndërsa, në emër të familjeve të viktimave foli përfaqësuesi i familjes Kopalla, i cili falënderoi Komunën e Podujevës për ndërtimin e këtij monumenti, për të cilin tha se është shumë i vlefshëm për familjet e të rënëve.

Në fund, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi së bashku me përfaqësuesit e familjeve të viktimave zbuluan pllakën përkujtimore me emrat e 31 qytetarëve të rënë në këtë vend.

Ndërtimi i këtij monumenti është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Podujevës.

Podujevë, 01.05.2021
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në vizitë miqësore…