![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/05/2021-05-07-22.15.11.223-174043235_275242080985480_5435990538219547239_n.jpg)
Ylli fiton finalen e parë kundër Pejës
Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Pejës në udhëtim 75:83 (16:22, 17:20, 22:19, 20:22), në finalen e parë të “Play-offit” në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.
Pesë minutat e parë ishin të barabartë, por më pas mysafirët krijojnë epërsi prej 10 pikësh, 10:20, megjithatë, vendasit nuk dorëzohen duke ngushtuar shifrat në 16:20, kurse çereku i parë përfundon 16:22. Lojë interesante u zhvillua në periudhën e dytë, ku pejanët ngushtojnë shifrat në 31:33, megjithatë, më pas skuadra nga Theranda hyn në një seri të suksesshme, duke u shkëputur 31:42, kurse pjesa e parë përfundon 33:42.
Epërsia më e lartë e Yllit ishte 35:49, por Peja nuk kishte hyrë në finale për tu dorëzuar dhe ngushton shifrat në 53:54, dy minuta nga fundi i periodës së tretë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash në semafor ishte 55:61. Ylli arriti të menaxhojë epërsinë në 10 minutat e fundit për të triumfuar 75:83.
Te Peja u dalluan Laron Dandy me 17 pikë e 12 kërcime dhe Brandon Walters me 16 pikë e 10 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli më i dalluari ishte Erjon Kastrati me 26 pikë e pesë asistime.
Ndeshja e radhës zhvillohet të dielën mbrëma në Therandë, ndërsa kampion shpallet skuadra që shënon tri fitore.