Dialogu me Serbinë pritet të rinisë pa konsensus nacional

17 maj 2021 | 11:18

Qeveria e Kosovës në muajin qershor pritet ta rinisë dialogun me Serbinë pa pasur një konsensus nacional për këtë proces. Partitë opozitare, ndonëse përkrahin  vazhdimin e dialogut me Serbinë, janë shprehur kundër përfshirjes së drejtpërdrejtë në këtë proces. Teksa kanë kritikuar qasjen e qeverisë për këtë proces, përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se kontributin e tyre për këtë proces do ta japin në Kuvendin e Kosovës. Njohësit e këtij procesi dhe shoqëria civile kanë bërë me dije se konsensusi nacional për këtë çështje është shumë i nevojshëm për Kosovën

Muhamet KOCI

Ndonëse janë shprehur pro vazhdimit të dialogut me Serbinë, pozita dhe opozita vështirë së do të arrijnë një konsensus nacional për këtë çështje. Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për ta përfshirë opozitën në këtë proces, por kjo e fundit është shprehur kundër përfshirjes së drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë. Partitë opozitare kanë thënë se kontributin e tyre në këtë proces do ta japin në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në programin e saj e ka paraparë si prioritet këtë proces, duke thënë se synimi i dialogut është njohja reciproke. “Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror. Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish-Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv. Marrëveshjet e deritanishme do të trajtohen për ta parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre”, është thënë në programin e qeverisë të miratuar javën e kaluar.

Në këtë dokument parashihet edhe bashkëpunimi me opozitën. “Me opozitën do të bashkëbisedojmë rregullisht për të ndërtuar konsensus nacional në përgjithësi sa i përket politikës së jashtme, në veçanti për raportin me Serbinë. Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do ta përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”, është thënë në programin e qeverisë.

Por, opozita ka kritikuar qasjen e qeverisë karshi procesit të dialogut me Serbinë.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se në programin e qeverisë nuk përmenden fare parimet e dialogut me Serbinë. “Qeveria nuk e ka paraqitur kornizën e parimeve për dialogun me Serbinë që, sipas LDK-së, duhet të përfundojë me njohjen reciproke të të dyja vendeve në kufijtë aktualë pa cenuar rendin kushtetues të vendit. Këto parime që po i theksojmë nuk përmenden fare në programin e qeverisë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, mungesa e parimeve në këtë proces mund të jetë e dëmshme për Kosovën. “Në program vetëm aludohet në ‘parime të qarta’. Mungesa e parimeve lë hapësirë për aranzhmane të mundshme të cilat dobësojnë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Meqenëse pritëm 50 ditë, do të kishim dashur të thoshim se kjo pritje ia ka vlejtur por, në fakt, është e kundërta”, ka deklaruar Mjekiqi. Partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka mohuar se mund të bëhet pjesë e ndonjë delegacioni të qeverisë për këtë proces.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë për “Epokën e re” se kjo parti do ta japë kontributin e saj për këtë proces në Kuvendin e Kosovës. Ai ka bërë me dije se deri më tani PDK-ja nuk ka pasur kurrfarë oferte për t’u përfshirë në dialogun me Serbinë. “E thashë se PDK-ja do ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi kurrfarë oferte konkrete në këtë drejtim, por në këtë situatë ne jemi parti opozitare dhe kontributin tonë do ta japim në Kuvendin e Kosovës. Pra, aty do ta mbrojmë interesin e Kosovës”, ka thënë Hamza.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në çfarë kushtesh e përkrah vazhdimin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, AAK-ja e vlerëson të domosdoshëm lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi. “Si parti opozitare ne do ta kryejmë obligimin tonë për çështjen e dialogut ashtu siç jemi zotuar para qytetarëve të vendit, gjithnjë në mbrojtje të interesave nacionale. Në takimin e sotëm, ritheksuam domosdoshmërinë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces me shumë rëndësi për vendin tonë, prej të cilit presim njohje reciproke, me marrëveshje obliguese ligjore, në kufijtë ekzistues, dhe paprekshmërinë e organizimit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Konsensusi nacional është i nevojshëm

Njohësit e procesit të dialogut dhe shoqëria civile kanë ftuar pozitën dhe opozitën që të bashkëpunojnë në raport me dialogun me Serbinë. Sipas tyre, konsensusi nacional për këtë çështje është i nevojshme. “Janë disa çështje që duhet të bashkojnë pozitën dhe opozitën. Nëse nuk bashkohen, jemi larg nga interesat kombëtare”, ka deklaruar ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Ditë më parë edhe KDI-ja i ka ftuar bartësit e institucioneve që, krahas hartimit të strategjisë dhe platformës për dialogun, të ndërmarrin hapa konkretë drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun, me qëllim për ta forcuar pozicionin e Republikës së Kosovës në këtë proces. “Në këtë drejtim, kryeministri dhe presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese, duhet ta iniciojnë dhe t’i kontribuojnë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet për tejkalimin e pengesave për arritjen e pajtueshmërisë”, ka vlerësuar KDI-ja.

Kurse politologu Belul Beqaj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qeveria duhet t’i koordinojë takimet brenda dhe jashtë vendit për të kaluar në ofensivë në këtë proces. “Z. Kurtin asnjë arsyetim për shmangie nga vazhdimi i dialogut nuk e justifikon. Kosova duhet të kooperojë dhe koordinojë takimet brenda dhe jashtë për të kaluar nga defansiva e trashëguar në ofensivë diplomatike duke promovuar superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë”, ka thënë Beqaj. Sipas tij, Kurti duhet të jetë i hapur me partnerët ndërkombëtarë dhe duhet t’i pranojë obligimet e mëparshme të procesit të dialogut. “Z. Kurti duhet të jetë i hapur para zyrtarëve evropianë për gatishmërinë e qeverisë për ta implementuar obligimin e trashëguar nga pushtetet e mëparshme, pavarësisht se LV-ja e ka kundërshtuar formimin e AKS-së. Qeveria Kurti duhet të angazhohet për vazhdimin e dialogut për aq sa ka gatishmëri të palëve për të shkuar në drejtim të njohjes reciproke. Nëse palët ngulin këmbë vetëm për ‘normalizim’ dhe ‘ndërmjetësim dhe lehtësim’ të vazhdimit të dialogut, ai duhet të sillet konform rrethanave”, është shprehur Beqaj.

Deri më tani Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se në dialogun me Serbinë do të përfshihen disa ekspertë nga shoqëria civile.

Në bazë të një memorandumi që Grupi për Ballkan ka me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Norvegjisë parashihet që ekspertët e angazhuar deri më tani janë Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala.

Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë para deputetëve në Kuvendin e…