Qeveria Kurti hesht lidhur me Manastirin e Deçanit

21 maj 2021 | 10:49

Qeveria e Kosovës qëndron e heshtur lidhur me kërkesën e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia e Britania e Madhe) për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.

Shefat e misioneve e këtyre shteteve të mërkurën (19 maj) përmes një komunikate të përbashkët kanë thënë se “qeverisë së re të Kosovës iu dha një mandat i fuqishëm për reforma dhe respektim të sundimit të ligjit”.

Sipas tyre, provë kryesore e vendosmërisë së saj do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

“E inkurajojmë atë (Qeverinë) që pa vonesa të vazhdojë me procesin e regjistrimit të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Radio Evropa e Lirë, ka kontaktuar kabinetin e kryeministrit Albin Kurti për të marrë një përgjigje lidhur me ketë çështje por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pranuar përgjigje.

Gjithashtu pyetje lidhur më ketë çështje, REL-i ka dërguar edhe në Ministrinë e Kulturës të Kosovës, mirëpo zyrtarët thanë se me kohë do të përgjigjen.

Herën e fundit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu dhe kryeministri, Albin Kurti, janë shprehur për çështjen e Manastirit të Deçanit, është pasi organizata Europa Nostra e nominoi Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Në letrën që mban datën 18 mars, drejtuar krerëve të kësaj organizate, Kurti dhe Osmani, thonë se “Manastiri i Deçanit është në gjendje të mirë, me garanca të plota kushtetuese e ligjore, me siguri të plotë e pa asnjë rrezik që i kanoset – është një nga monumentet me të cilat mburren shteti dhe shoqëria e Kosovës dhe, sikurse përgjatë historisë, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë me shumë dashuri e përkushtim edhe në të ardhmen”.

“Të gjitha komunat e Kosovës, ku hyn edhe Komuna e Deçanit, janë duke i hartuar planet hapësinore dhe zhvillimore. Për informatën tuaj, Komuna e Deçanit është zotuar që brenda këtyre planeve, zonën e veçantë të Manastirit të Deçanit do ta trajtojë me prioritet të veçantë dhe seriozitet të shtuar. Ky trajtim nënkupton respektim të përpiktë të legjislacionit vendor dhe në veçanti të rregullave të mbrojtjes dhe menaxhimit të përcaktuara nga UNESCO”, thuhej në letrën e Kurtit dhe Osmanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një hetimi disa mujore është ekzekutuar urdhëresa e lëshuar…