Kurti: Ne nuk duhet ta shohim procesin e integrimit evropian nga distanca

21 maj 2021 | 11:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës.

Në fjalën e hapjes, Kurti ka thënë se Këshilli Ministror për Integrim Evropian është themeluar si strukturë koordinuese ndër-institucionale, që do të shërbejë si forum i fokusuar për të diskutuar për reformat e rëndësishme, që kërkojnë qasje dhe bashkëpunim ndër-institucional, vëmendje dhe drejtim politik.

Një nga përfitimet direkte e të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian, siç tha kryeministri, është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga Bashkimi Evropian, në secilën fushë e për çdo vit. “Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se pret që kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendin tonë, në kuptimin e standardeve që duhet arritur dhe plotësuar, të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe me përkushtimin e nevojshëm.

“Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkim Evropian duhet të jenë udhërrëfyes”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Prandaj agjendën e integrimit evropian duhet ta shohim si pjesë integruese të agjendës qeveritare dhe shtetërore. Ne nuk duhet ta shohim procesin e integrimit evropian nga distanca, si qëllim më vete, si detyra që BE-ja na ka caktuar e të cilat duhet t’i arrijmë ashtu që në fund të shpërblehemi. Përkundrazi, duhet ta shohim si një mundësi që ne e kemi për t’u reformuar, për t’u zhvilluar dhe për të arritur standardin demokratik, ekonomik dhe mirëqenien tonë”, ka deklaruar Kurti.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, u shqyrtua plani i veprimit për fazën e dytë të prioriteteve politike në kuadër të procesit të integrimit evropian (përkatësisht Agjendës së Reformave Evropiane – ERA II).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës qëndron e heshtur lidhur me kërkesën e…