Prishtina e feston titullin me paradë në kamion të hapur nëpër sheshin kryesor të kryeqytetit

23 maj 2021 | 22:13

Prishtina e ka festuar titullin e kampiones së Kosovës duke parakaluar nëpër sheshin e kryeqytetit të dielën pas përfundimit të sezonit 2020/21 në Superligë, i cili i dha fund një pritjeje të gjatë tetëvjeçare për trofeun e ligës.

Bardhekaltrit e fituan titullin në ndeshjen e parafundit të sezonit të dielën e kaluar, kur e mposhtën 2:1 Gjilanin në udhëtim, raporton GE. Ende nën emocionet e festës, djelmoshat e Zekirija Ramadanit nuk e mbyllën sezonin siç do të dëshironin, pasi u tronditët nga Ballkani duke u rrahur 5:2 në Fadil Vokrri në ndeshjen e fundit të sezonit.

Por pak rëndësi kishte kjo për tashmë 11 herë kampionen e Kosovës, e cila e vazhdoi festën e titullit këtë herë në mënyrë më të veçantë.

Lojtarët bardhekaltër parakaluan nëpër sheshet kryesore të kryeqytetit, Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova, në një kampion të hapur.

Ata u përshëndetën nga Plisat dhe qindra tifozë të tjerë të klubit më të trofeshëm në vend.

Kjo është një festë e veçantë për klubin dhe për tifozët, sepse hera e fundit kur klubi nga kryeqyteti e fitoi titullin në Superligë, ishte sezoni 2012/13.

Për më tepër, titulli kampion i Kosovës nënkupton se Prishtina do të marrë pjesë në kualifikime për Ligën e Kampionëve për herë të parë në historinë e klubit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani me rastin e shënimit…