Nga Feronikeli te Drita, flet Përparim Islami

24 maj 2021 | 22:17

Futbollisti Përparim Islami të hënën ka ndarë rrugët me Feronikelin dhe menjëherë ka gjetur skuadrën e re. Bëhet fjalë për Dritën e Gjilanit. Gazeta e ka kontaktuar Islamin, i cili e ka pranuar se ka kontakte me skuadrën gjilanase, por ka mohuar të ketë arritur marrëveshje.

Mbrojtësi Përparim Islami të hënën ka konfirmuar se është larguar zyrtarisht nga skuadra e Feronikelit.

“Rruki” me sukses të plotë mbrojti ngjyrat e Feronikelit përgjatë tri viteve, duke arritur të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin e Kosovës, po ashtu ai ishte pjesëmarrës edhe në garat evropiane. “Nuk jam më pjesë e FC Feronikelit. Falënderoj drejtuesit e klubit, konkretisht presidentin Naser Ramaj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin fantastik. Falënderoj të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, po ashtu edhe shokët e skuadrës që kemi qenë së bashku gjatë këtyre tre vjetëve, ku arritëm t’i fitojmë të gjithat kupat e mundshme në Kosovë. Një falënderim kam edhe për të gjithë qytetarët e Drenasit dhe kryetarin Ramiz Lladrovci, të cilët gjithmonë na kanë qëndruar afër gjatë këtyre viteve”, ka thënë Islami.

Ndërsa tifozët e skuadrës së Feronikelit, “Tigrat e Zi”, e kanë falënderuar Islamin për kontributin e madh që ka dhënë për këtë klub. “Faleminderit Përparim Islami-‘Rruki’ që kontribuove për klubin e qytetit tonë. ‘Tigrat e Zi’ do të respektojnë gjithmonë, andaj qyteti ynë është shtëpia jote. Ne si tifozët të urojmë shëndet e suksese të mëtutjeshme në karrierën tënde”, thuhet në reagimin e tifozëve “Tigrat e Zi”.

Mbrojtësi që ka bërë karrierë në skuadrën e Prishtinës, Trepçës ’89, Hysit dhe Hajvalisë, karrierën futbollistike do ta vazhdojë në skuadrën e Dritës nga Gjilani. Gazeta “Epoka e re” ka mësuar se marrëveshja është arritur derisa kanë mbetur vetëm disa hollësi të vogla për zyrtarizimin e saj. Gazeta e ka kontaktuar edhe mbrojtësin e krahut të djathë, i cili ka bërë me dije se ka disa oferta, por që ende nuk ka arritur marrëveshje me ndonjë klub. “Oferta kam nga disa klube, por ende nuk kam arritur marrëveshje me asnjërën prej tyre. Shumë shpejt do të vendos se në cilin klub do ta vazhdoj karrierën time”, ka deklaruar Islami.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Anel Rashkaj ka lajmëruar se është dorëhequr nga Kombëtarja…