Operacioni anti kanabis në Krujë, 16 të arrestuar e 17 mijë bimë të sekuestruara

30 maj 2021 | 15:13

Policia në Shqipëri ka njoftuar se sot ka arrestuar 16 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim 24 të tjerë, si pasojë e operacionit të nisur një ditë më parë në Krujë, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni në të cilin u angazhuan forcat të shumta të policisë, përfshirë dhe njësitë speciale, u përqendrua në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras. Mes të arrestuarve janë dy gra, kryeplaku i fshatit Halil, si dhe dy punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Këta dy të fundit dyshohet se kanë lidhje me një laborator të kultivimit të marihuanës me anë të ngrohjes me llampa.

Përveç këtij laboratori, policia ka njoftuar se ka sekuestruar fidanë kanabis sativa. Në total mendohet të jenë afër 17 mijë rrënjët e bimëve narkotike që janë zbuluar, si në plantacione të hapura ashtu dhe në serra.

Në dy vitet e fundit, gjatë 2019-s dhe 2020-s, kultivimi i kanabis sativas ka pasur një tendencë në rritje, pas një tkurrjeje të ndjeshme që u regjistrua në vitin 2018, kur shifrat ranë në minimumet historike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare…