Konjufca: Kuvendi, i përkushtuar për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve

03 qershor 2021 | 13:54

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka hapur ditën e dytë të “Festivalit Multikulturor 2021”, të organizuar nga “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, në të cilin temë kryesore është “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”.

Sipas organizatorëve, ky festival ka për qëllim ngritjen e vetëdijes rreth fuqizimit të rolit të grave të këtyre komuniteteve dhe sfidave me të cilat ato përballen.

Kryeparlamentari Konjufca se Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar që të zbatojë Kushtetutën e vendit, e cila qytetarët e Kosovës i trajton në mënyrë të barabartë dhe pa dallim.

Konjufca ka theksuar se është sot në këtë festival për të përkrahur dhe promovuar barazinë e plotë në mes të qytetarëve, grave dhe komuniteteve.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndalon çdo lloj diskriminimi në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimeve politike, prejardhjes kombëtare, orientimit seksual, etj. Kosova ndër vite e ka dëshmuar frymën e tolerancës e dialogut, si dhe ka mbështetur trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve dhe avancimin e grupeve të diskriminuara në shoqërinë tonë”, ka thënë Konjufca.

Tema e sivjetme e festivalit i jep edhe një motiv shtesë, pasi siç ka theksuar Konjufca, ky edicion i kushtohet grave në procese shoqërore dhe politike.

“Andaj trajtimi i një teme të tillë është shumë i nevojshëm, sidomos kur bëhet fjalë për gruan nga komuniteti rom, komuniteti ashkali dhe ai egjiptian”, ka thënë Konjufca.

Më tutje, ai ka thënë se duket një optimizëm sa i përket pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe shembull i kësaj janë zgjedhjet e fundit në Kosovë, ku një numër i madh i grave kanë tejkaluar kuotën gjinore dhe kanë arritur të bëhen deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Kjo tregon që populli i Kosovës po vetëdijesohet sa i përket pozicionit të gruas në shoqëri dhe në politikë”, ka thënë Konjufca.

Një shqetësim që ende mbetet sfidë e institucioneve të Kosovës, sipas Konjufcës, mbetet papunësia e lartë e grave, me theks të veçantë të atyre nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për të uljen e të cilës ai tha se do të kenë mbështetjen dhe angazhimin e të gjitha institucioneve të vendit.​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eurodeputetja gjermane nga Partia e Majtë, Cornelia Ernst, ka thënë…