Ish-ushtarja amerikane dhuron donacion prej 5 mijë dollarësh për UP-në

03 qershor 2021 | 15:44

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të enjten është bërë  pranimi zyrtar i donacionit në vlerë prej 5 mijë dollarësh nga ish-ushtarja amerikane, dr. Elaine Berkowitz.

Me anë të këtij donacioni, të dedikuar për Departamentin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, synohet të blihen pajisje, të cilat do t’u shërbejnë studentëve të këtij departamenti.

Mirënjohës për donacionin e dr. Berkowitz është shprehur rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai ka thënë se UP-ja do të sigurohet që donacioni i dhuruar t’u shërbejë studentëve në përmirësimin e kushteve të tyre të studimit.

Rektori Sahiti i ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e këtij bashkëpunimi, si dhe e ka ftuar dr. Berkowitz ta vizitojë UP-në.

Në emër të dhurueses së donacionit ka folur profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Teuta Bicaj.

“Kosova për mua është si shtëpi e dytë. Qysh nga ditët e mia të para në Kampin e Bondsteel-it, mund të them që jam e dashuruar me Kosovën,  me njerëzit, kulturën, vendin dhe ushqimin”, ka thënë profesoresha Bicaj, duke cituar fjalët nga letra e dr. Berkowitz.

Ish-ushtarja amerikane ka përmendur edhe ditët e kaluara në Departamentin e Stomatologjisë dhe shtoi që këtë donacion e dhuron në nderim të prof. dr. Agim Islamit, profesor i pensionuar i Fakultetit të Mjekësisë.

Donacionin e dhuruar e ka vlerësuar edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila ka shtuar që këto mjete do të shfrytëzohen për blerjen e gjashtë zmadhuesve binokularë që u nevojiten studentëve të degës së stomatologjisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin…