Vizita e Bidenit në Evropë dhe synimet për të forcuar aleancat

04 qershor 2021 | 11:38

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden pritet të bëjë një turne në Evropë gjatë këtij muaji, në atë që do të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë theksohet se Biden do të takohet me udhëheqës botërorë në Britani, Belgjikë dhe Zvicër gjatë turneut të tij evropian nga data 10 deri më 16 qershor.

“Ky udhëtim do të nxjerrë në pah angazhimin e ShBA-së për të rivendosur aleancat tona, për të ringjallur marrëdhëniet transatlantike dhe për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë dhe partnerët e shumanshëm për të zgjidhur sfidat globale dhe për të garantuar më mirë interesat e Amerikës”, thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Më 10 qershor presidenti Biden pritet të takohet me kryeministrin britanik, Boris Johnson si dhe do të marrë pjesë në samitin e G-7-s që mbahet më 11 deri më 13 qershor në qarkun Cornwall në Anglinë jugperëndimore.

Biden do të takohet edhe me mbretëreshën Elizabeth më 13 qershor përpara se të niset drejt Brukselit në Belgjikë, për samitin e NATO-s që mbahet më 14 qershor. Gjatë samitit ai do të “konfirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, sigurisë transatlantike dhe mbrojtjes kolektive”, ka pohuar Psaki.

Gjatë qëndrimit në Bruksel Biden pritet të takohet gjithashtu me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan “për të diskutuar rreth një game çështjesh bilaterale dhe rajonale” si dhe për të marrë pjesë në Samitin ShBA-BE më 15 qershor.

Gjatë këtij samiti pritet të diskutohen ndër të tjera çështje të sigurisë shëndetësore, rimëkëmbjes ekonomike globale si dhe ato të ndryshimeve klimatike.

Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me Mbretin e Belgjikës Philippe dhe kryeministrin Alexander De Croo.

Gjatë udhëtimit të tij evropian presidenti amerikan Biden do të ndalet edhe në Gjenevë të Zvicrës, ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin rus Vladimir Putin më 16 qershor.

Gjithashtu Biden do të takohet edhe me presidentin zviceran, Guy Parmelin, dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Ignazio Cassis.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias është…