Vuçiqi: Vazhdimi i dialogut, çështje ditësh

04 qershor 2021 | 15:04

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë brenda një afati të shkurtër kohor. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke konfirmuar se Serbia do t’i përgjigjet ftesës së Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut “është çështje ditësh e jo javësh”.

Deklarimi i Vuçiqit para medieve është bërë të premten, një ditë pasi ai është takuar me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Vuçiqi ka thënë se gjatë bisedës me Palmerin dhe Lajçaku, ai e ka përsëritur qëndrimin se, Serbia nuk është në favor të një konflikti të ngrirë.

Qëndrimi i dy diplomatëve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd, gjatë kësaj jave, kishte për qëllim përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë këtij muaji pritet të zhvillojnë takimin e parë në kuadër të dialogut politik, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më herët ishte paralajmëruar se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të zhvillohet gjatë muajit qershor, por një datë nuk është dhënë.

Vuçiqi ka thënë se ai ka biseduar me Palmerin dhe Lajçakun për temat e dialogut.

“Serbia është e gatshme të zhvillojë dialog për çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë Vuçiqi, duke përmendur gërmimet që janë bërë ditë më parë në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë nga ana e komisioneve për të pagjeturit nga Serbia dhe Kosova me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe EULEX-it.

Vuçiqi ka thënë se Serbia ka informacione për vendet ku janë varrosur ushtarët dhe civilët serbë në Kosovë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar në vitin 2011.

Përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës për tre muaj ka shpenzuar mbi 521…