A do të votojë Rudina Hajdari për shkarkimin e Ilir Metës?

08 qershor 2021 | 16:33

Në tentativën e dytë, socialistët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit, duke vendosur edhe precedentin e parë në historinë e parlamentarizmit.

Ditën e mërkurë në orën 10:00 në seancën e posaçme, Parlamenti do të miratojë raportin dhe propozimin e komisionit hetimor për largimin e parakohshëm të Presidentit nga institucioni me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Në raportin voluminoz prej 96 faqesh, në të cilat janë transkriptuar të gjitha deklaratat publike të Metës, postimet në rrjetet sociale para dhe gjatë fushatës zgjedhore, komisioni hetimor ka dalë në konkluzionin se Presidenti ka shkelur rëndë 17 nene të Kushtetueses.

9 deputetët, 8 prej të cilëve nuk do të jenë më në Parlamentin e ri të shtatorit,  mendojnë se Meta ka cenuar unitetin kombëtar, procesin zgjedhor, ka shkelur të drejtat e njeriut, ka rrezikuar sigurinë e vendit, marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë si dhe ka cenuar imazhin dhe reputacionin e vendit.

PS-së do t’i duhen 94 vota të mërkurën, kartona të cilat do t’i kërkojë tek deputetët që PD-ja dhe LSI-ja lanë pas djegies së mandateve e që nuk e kanë fshehur vullnetin e tyre përgjatë dy viteve për t’i dhënë OK mazhorancës në çdo nismë të saj. Ndër ta është edhe deputetja, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit. Por a do të votojë pro apo kundër deputetja Hajdari dhe deputetët mbështetës të saj do të shihet ditën e mërkurë.

Pavarësisht vendimit politik të Parlamentit, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thotë fjalën e fundit nëse Ilir Meta e ka shkelur rëndë Kushtetutën apo jo dhe nëse deklaratat e tij kanë pasur pasoja. Kushtetuesja brenda një afati 3 mujor duhet të marrë vendim për ta kaluar votimin e parlamentit në seancë shqyrtuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua nga Afrika e Jugut pretendon se ka lindur…