Haxhiu: Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë plotësisht të pavarura

09 qershor 2021 | 11:18

Në kuadër të takimit të pestë virtual të Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, organizuar nga Komisioni Evropian, ka marrë pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë nga Ministria e Drejtësisë.

Pas fjalës hyrëse të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka diskutuar për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë në kompletimin e politikave adekuate dhe adresimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë.

“Qeveria jonë është e vetëdijshme për sfidat që ka para vetes megjithatë jemi shumë të përkushtuar që shteti i Kosovës të jetë shtet i së drejtës. Për këtë padyshim që nevojiten hapa serioz, të mirë menduar dhe bashkëpunim ndërinstitucional”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka theksuar punën që është bërë nga Ministria e Drejtësisë në adresimin e prioriteteve siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rishikimi funksional, vettingu dhe prioritetet tjera që lidhen me dhunën në familje dhe adresimin e krimeve të luftës.

Në përfundim të diskutimit, ministrja ka potencuar interesimin e plotë dhe obligimin që konsideron Qeveria, në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe për rëndësinë e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë plotësisht të pavarura.

Në kuadër të takimit të 5-të të Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në fjalimin hyrës kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga institucione të tjera, si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues nga institucionet tjera të drejtësisë në Kosovë.

Takimi dhe diskutimi virtual i Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri do të vazhdojë gjatë tërë ditës së sotme dhe ditën e nesërme, 10 qershor, me temat përkatëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë veterani i UÇK-së, Ali Avdijaj. Me këtë…