Kurti nderon jetën dhe veprën e Fadil Vokrrit në trevjetorin e vdekjes
Në trevjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit Fadil Vokrri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nderuan veprën dhe jetën e tij.
Ata bënë homazhe dhe vendosën kurorë lulesh te varri i Vokrrit, në varrezat e lagjes “Arbëria”, në Prishtinë.
Kryeministri Kurti e ka vlerësuar lartë personalitetin e Vokrrit si futbollist dhe si më meritorin për pranimin e Kosovës në federatat ndërkombëtare të futbollit.
“Fitoret e klubit të futbollit ‘Prishtina’ ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij, ai e pushtonte fushën. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e sportistëve tanë”, ka thënë kryeministri Kurti.