Edhe kjo ndodhi: Popat e Serbisë për herë të parë e bëjnë këtë në pronën e Universitetit të Prishtinës

10 qershor 2021 | 14:50

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë, shkruan KosovoOnline.

“Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji është mbajtur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Prishtinës. Liturgjia e shenjtë është shërbyer nga Peshkopi Teodosije me priftërinj dhe besimtarë në kishën e pambaruar, për nder të ditës së ngritjes”, është thënë në deklaratën e Dioçezës.

Në këtë liturgji ka marrë pjesë edhe deputeti i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq.

Në fund të vitit 1992 nisi ndërtimi i objektit të Kishës Ortodokse Serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Nga ky institucion i lartë shkollor ishin dëbuar shqiptarët, sikurse edhe nga të gjitha institucionet tjera në Kosovë.

Për këtë arsye serbët që mbanin pushtetin absolut nuk e patën të vështirë t’i marrin tokën universitetit për të ndërtuar kishën.

Madje në ceremoninë e gurthemelit merrte pjesë edhe krimineli nga luftërat e Ish-Jugosllavisë, Arkan.

Mbajtja e kësaj liturgjie ka nxitur reagime të shumta nga spektri politik.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës.

“Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës. Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria dhe Komuna e Prishtinës që të reagojnë menjëherë ndaj liturgjisë ortodokse serbe, e cila është mbajtur të enjten në kishën e cila ndodhet në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Ai ka thënë se kisha në oborrin e UP-së është ndërtuar mbi idetë fashite të Sllobodan Millosheviqit. Sipas tij kjo kishë paraqet shkelje të dinjitetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë. Qeveria dhe Komuna të reagojnë menjëherë!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka reaguar në lidhje me mbajtjen e liturgjisë në kishën ortodokse serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Nushi ka bërë me dije se sa ishte në Vetëvendosje, me insistimin e Albin Kurtit, disa aktivistë kishin bërë roje tek kisha për të moslejuar të mbahet ndonjë liturgji si kjo e sotshmja.

“Me kujtohet kur në 2016, si Vetëvendosje, me insistimin e Albinit, grupe aktivistesh kemi mbajtur roje për disa dite më radhë afër kësaj kishe. Disa aktiviste, natën vonë ia ndërrojnë drynin këtij objekti për të parandaluar mbajtjen e meshës së paralajmëruar në atë kohë. Sot Kurti është në pushtet, dhe miu po i kalon nëpër mustaqe”, ka shkuar Nushi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vlerësuar se mbajtja e liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar është provokim politik.

“KMDLNj e njeh dhe respekton të drejtën e ushtrimit të drejtave dhe lirive fetare për të gjithë besimtarët në bazë të bindjeve dhe vullnetit por e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike. Rasti i mbajtjes së Liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar, KMDLNj e konsideron si provokim”, është thënë në reagimin e këshillit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka reaguar në…