Rexhepi: Kërkesa për shkarkimin e Llukës, absurde

08 maj 2018 | 11:38

Sindikata e Punëtorëve të Telekomit ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ta shkarkojë ministrin e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, pas deklaratës së tij për gjendjen në Telekom, veçanërisht asaj të uljes së pagave të punëtorëve. Këshilltari i ministrit Lluka, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kërkesat e kësaj sindikate janë absurde pasi, sipas tij, kjo sindikatë kërkon ruajtjen e privilegjeve dhe përfitimeve, e jo shpëtimin e kompanisë.
Sindikata e Punëtorëve të Telekomit të Kosovës ka reaguar pas deklaratave të fundit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se disa punëtorëve të kësaj kompanie do t’u ulen pagat deri në 40 për qind. Në komunikatën për media thuhet se, siç jeni në dijeni për zhvillimet e fundit që po ndodhin në Telekomin e Kosovës dhe deklaratat e papërgjegjshme të ministrit të MZhE-së, Valdrin Lluka, për sindikatën janë të papranueshme, qëllimkëqija dhe shumë demotivuese për të gjithë punëtorët e TK-së. “Pa i njohur problemet dhe vështirësitë e TK-së, pa u marrë me një analizë se si duhet të dilet nga kjo gjendje, ku ka plot mundësi që kompania të funksionojë me fitim të vetin, duke rishikuar të gjitha kontratat e dëmshme: ‘Z-Mobile’, kontratat për qiranë dhe pikat shitëse, ulja e shpenzimeve të derivateve, investimet e domosdoshme për gjenerim të të hyrave dhe ndërprerja e punësimeve që ende po vazhdon etj. Andaj kërkojmë nga kryeministri z. Ramush Haradinaj ta shkarkojë ministrin Lluka për këto deklarata të panevojshme dhe demotivuese që për pasojë kanë rritur demotivimin e punëtoreve për punë duke kërcënuar me ulje të pagave dhe falimentim të TKsë”, thuhet në komunikatën e dërguar për media. Aty thuhet se sindikata në fjalë nuk do të pranojë të degradohen punëtorët duke u kërcënuar në forma të ndryshme pasi, sipas tyre, më së paku punëtorët janë përgjegjës për këtë gjendje, ku dihet roli i politikës në të gjitha emërimet e KE-ve dhe bordeve e që asnjëherë nuk e ka marrë kush përgjegjësinë për degradimin e kompanisë. “Andaj, në rast se nuk merren masa ndaj ministrit Lluka, ne nuk i përjashtojmë të gjitha format e protestës siç na garanton edhe Ligji Sindikal i Republikës Kosovës”, është thënë në reagimin e Sindikatës së Punëtoreve të Telekomit. Lidhur me këtë, këshilltari i lartë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kërkesa e Sindikatës së Telekomit për shkarkimin e ministrit Lluka është absurde. “Sindikatat e kanë autonominë e tyre të veprimit dhe mund të shtrojnë çfarëdo kërkese. Por, kjo nuk do të thotë se ata gjithmonë ia qëllojnë dhe se gjithmonë kanë të drejtë. Në rastin konkret, është absurde kërkesa për shkarkimin e ministrit Lluka, meqenëse ai që nga dita e parë e punës në këtë funksion është angazhuar për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Telekomin e Kosovës. Madje jo vetëm përmes shkurtimit të shpenzimeve për pagat e përfitimet e tjera, por me një program gjithëpërfshirës. Po ashtu, ai asnjëherë nuk ka thënë se vetëm ulja e pagave e shpëton kompaninë, por vetëm rishikimi i pagave përbrenda një pakoje masash”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se është e pakuptueshme qasja që ka Sindikata e Telekomit, meqenëse ajo kërkon ruajtjen e privilegjeve dhe të përfitimeve, e jo shpëtimin e kompanisë. “Qasja e tillë nuk ofron zgjidhje, por vetëm e thellon krizën. Prandaj, më e arsyeshme do të ishte që edhe sindikata të kyçet në frontin e përpjekjeve për shpëtimin e kompanisë, e jo të qëndrojë kokëfortë në mbrojtjen e qasjeve që e sollën Telekomin në këtë pozitë”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik është në bashkëpunim të ngushtë me Bordin e Telekomit me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe të qëndrueshme. “Prandaj, edhe do t’i përkrahë të gjitha masat e arsyeshme dhe shpresëdhënëse që ofron Bordi. Do të thotë, ne nuk do të ndërhyjmë padrejtësisht në punët e kompanisë, por as nuk do të qëndrojmë duarkryq në situatën kur Telekomi po rrënohet. Tekefundit, MZhE-ja dhe ministri kanë përgjegjësi ligjore që të ndërhyjnë në situata të këtilla”, ka thënë Rexhepi.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Serbisë ka konfirmuar se ministri i Financave, Dushan…