Hapet panairi “Expokos”, mbledh kompani të ndërtimtarisë, energjetikës e patundshmërisë

08 maj 2018 | 11:45

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, është hapur të martën panairi “Expokos 2018” i cili i dedikohet ndërtimit, energjetikës, teknologjisë dhe patundshmërive.
Qëllimi kryesor i organizimit të përvitshëm të këtij panairi është gjetja e partnerëve të biznesit dhe klientëve të rinj si nga kompanitë vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.
Pjesë e këtij edicioni të panairit janë kompani prestigjioze nga Britania, Italia, Gjermania, Greqia, Turqia si dhe një numër i madh i kompanive nga vendi dhe shtetet e tjera të Ballkanit, të cilat për vizitorët e panairit do të prezantojnë risitë e fundit në fushat e tyre.
Në këtë vit do të marrin pjesë edhe dhjetë kompani shqiptaro-britaneze të organizuara nga Oda Ekonomike Britanike.
Me këtë rast, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka thënë se ky panair ndihmon shtetin e Kosovës që të krijojë ura të bashkëpunimit me ndërkombëtarë dhe të njihen më mirë produktet e vendit. “Panaire të tilla me karakter ndërkombëtar lë të kuptoj që këtu mund të krijohen ura të bashkëpunimit që janë të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe si Qeveri e Kosovës ne po punojmë që t’i mundësojmë tregtisë së lirë të punojnë sa më shumë që të largohen të gjitha barrierat si tarifore dhe jo tarifore ne Kosovë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se raporti që është publikuar nga Banka Botërore, Kosova ka qenë ndër 10 vendet që kanë bërë progres dhe reformim të shpejtë dhe kjo sipas tij, tregon që ulja nga vend i 60 në 40 ka bërë progres të mjaftueshëm në ambientin e të bërit biznes.
Kurse, ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka thënë se pa ekonomi të vendit një shtet nuk mund të ekzistojë.
Ai iu adresua bizneseve të pranishme, duke i vlerësuar lartë për afarizmin e tyre. “Kosova po krijon ambient çdo ditë e më shumë për të investuar. Ne do të jemi në çdo vend për t’u zhvilluar një ekonomi familjare, sepse kështu ndihmojmë reciprokisht njëri-tjetrin”, ka thënë Lekaj.
Drejtori i Odës Ekonomike Britaneze në Kosovë, Bekim Kastrati, ka thënë se qeveria britaneze ka potencial të madh që të ndihmojë bizneset kosovare. “Dhoma e Ekonomisë Britaneze shërben si platformë të krijojë lidhje bashkëpunimi afariste në mes Kosovës dhe Britanisë për të krijuar bashkëpunim dhe shkëmbime ekonomike në mes këtyre dy vendeve”, ka thënë Kastrati.
Kurse, Bekim Xhafa nga organizata e panaireve CEO, ka deklaruar se në edicionin e 17 të panairit, këtë vit për herë të parë ka përkrahjen britaneze.
Madje, ai këtë panair e quajtur Porta e Ballkanit në të cilin panair po marrin pjesë rreth 50 kompani vendore dhe ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Nga Anglia vijnë lajme të mira në lidhje me Sir…