Partneriteti me Iowa-n, është partneritet me ShBA-të

08 maj 2018 | 15:41

Marrëdhëniet bilaterale dhe miqësia e mirë që Kosova ka me shtetin e Iowa-s, janë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vlerësimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Timothy Orr.

Gjatë takimit me gjeneralin Orr, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar atë për të arriturat dhe prioritet e Qeverisë së Kosovës, veçmas në fuqizimin dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për çka Kosova ka nevojë për ndihmën dhe asistencën e ShBA-ve.

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet tona bilaterale të fuqizohen në fusha të interesit të përbashkët dhe përvoja juaj do të na ndihmojë në avancimin e sektorëve të ndryshëm, veçmas në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, në kulturë”, ka deklaruar Haradinaj, duke falënderuar gjeneralin Orr për rolin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, veçmas për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së.

“Ne kemi nevojë për storie suksesi, duke çuar përpara bashkëpunimin shumëvjeçar me shtetin e Iowa-s. Tani me ardhjen e delegacionit prej 60 anëtarësh nga ky vend nga institucione dhe profile të ndryshme, ne po e profilizojmë këtë bashkëpunim, duke i dhënë theks të veçantë fushës së arsimit dhe fushës ekonomike, krahas prezencës ushtarake”, është shprehur Haradinaj, duke kërkuar nga gjenerali Orr vazhdimin e mbështetjes ushtarake në aksione të përbashkëta me FSK-në.

Ndërkaq, gjenerali Orr ka pohuar se sa herë është për vizitë në Kosovë ndjehet mirë, duke e vlerësuar progresin e Kosovës në këtë dekadë të parë të pavarësisë së saj.

Ai gjithashtu ka falënderuar kryeministrin për pritjen e delegacionit nga Iowa dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Pas takimit me kryeministrin Haradinaj, në një adresim para kabinetit qeveritar, gjenerali Orr ka theksuar se partneriteti Kosovë-Iowa është më i miri që ka Iowa dhe ShBA-të, dhe kjo falë popullit të Kosovës. “Nuk kemi gjetur partneritet më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”, ka thënë gjeneralmajor Timothy Orr.

Duke folur për raportet e mira ndërmjet dy vendeve, Orr ka theksuar se janë në pritje të nënshkrimit të dy marrëveshjeve me qytetet simotra.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka…