Presidentja shkarkon nga pozita e kryetares së KQZ-së Valdete Dakën

14 qershor 2021 | 15:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar  sot Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.

Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Aty thuhet po ashtu se Valdete Daka nuk e ka kryer punën e saj sipas standardeve profesionale dhe etike.

Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit qytetar në këtë institucion, derisa përmenden edhe zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë.

“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, duke pasur parasysh vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike dhe për t’u siguruar se ky integritet nuk dëmtohet më tutje, duke u mbështetur në faktin se zgjedhjet lokale të vitit 2021 pritet të organizohen së shpejti, dhe në asnjë mënyrë Kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit të qytetarëve në këtë institucion, kam vendosur sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”, theksohet në vendimin e presidentes, Vjosa Osmani.

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se një kompetencë të tillë të presidentit nuk e parasheh Kushtetua e Kosovës.

“Sikur këto të mos mjaftonin, sot po qarkullon lajmi se presidentja i ka kërkuar kryesueses së KQZ-së dorëheqjen, pa dhënë arsye se ku ka dështuar ajo në përmbushjen e mandatit të saj. Në këmbim i është ofruar mirënjohje! Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të presidentit shkarkimin e kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin. Shkarkimi është rregulluar me ligj, dhe janë paraparë situatat mjaftë specifike se kur mund të bëhet shkarkimi. Më e lehta për t’u thirrur është “Nëse sillet ose vepron në atë mënyrë që dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”. Tash si mundet të dekorohet dikush që ka dëmtuar integritetin e institucionit, nëse kjo na qenka arsyeja e shkarkimit?! Në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit kushtetues të KQZ-së, Presidentja po bënë të kundërtën, po e pengon atë. Këto ngjarje nuk mund të quhen ndryshe përveçse orvatje për kapje të KQZ-së”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislim…