Ambasadorët shqiptarë kërkojnë unitet në dialogun me Serbinë

18 qershor 2021 | 11:47

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur rinisjen e bisedimeve Kosovë- Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Përmes një komunikate për medie, këshilli ka vlerësuar se bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë, si rruga e vetme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Kjo,  jo vetëm që do ishte në interesin më të mirë të të dyja vendeve, por do ishtë një hap i madh drejt forcimit të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euro-Atlanike të rajonit tone”, është thënë në njoftim.

Ambasadorët shqiptarë kanë ftuar spektrin politik të Kosovës që të bashkohet në këtë proces. “Këshilli i Ambasadorȅve Shqiptar inkurajon  përfaqësuesit e Republikës sȅ Kosovës dhe të gjitha forcat politike në Kosovë që të angazhohen me vetëbesim dhe profesionalizëm në bisedimet me Republikën e Serbisë, të mbështetura nga BE dhe SHBA”, është thënë në njoftim.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka theksuar rëndësinë e liberalizimit sa më parë të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, duke shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet në këtë proces.

“KASH gjithashtu inkurajon ndërmjetësin e BE Lajçak, që në këtë proces të vijojë të udhëhiqet nga parimet mbi të cilat është ndërtuar dialogu duke ushtruar vetëpërmbajtje prej qëndrimeve emocionale të padobishme”, është thënë në njoftimin e këshillit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë më parë, Zaimina Vasjari ka festuar ditëlindjen. E…