KF Liria drejt privatizimit

21 qershor 2021 | 11:23

KF Liria ka mbajtur Kuvendin e Punës ku të pranishëm ishin 29 nga 41 delegatë sa ka klubi. Punimet i hapi kryetari Qemal Krasniqi, kurse pas formimit të trupave punuese e konstatimit të korumit nga komisioni verifikues, nisi edhe procedimi me pikat e rendit, që u miratua unanimisht.

Pika e parë kishte të bënte lidhur me raportin e punës për periudhën janar 2020 – maj 2021, të cilin e paraqiti kryetari Qemal Krasniqi. Pas kësaj pati diskutime nga shumica anëtarëve pjesëmarrës, ku nuk munguan kritikat. Ndërkaq, pika kryesore (pika e 2-të) kishte të bënte lidhur me shqyrtimin e propozimit për dhënien në menaxhim privat. Kryetari aktual theksoi nevojën e marrjes së një vendimi për dhënien në menaxhim privat ngaqë kështu nuk po funksionon, duke elaboruar gjerësisht këtë nevojë, bazuar në rezultatet jo të mira.

Ai ka bërë me dije edhe për kontaktet lidhur me këtë mundësi me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, komisionin për mbikëqyrje të kodit buxhetor: “politikat zhvillimore”, ku konstatimi dhe pajtimi është që kjo të bëhet sa më parë, gjithnjë duke ndjekur rrugët ligjore. Po ashtu, ai njoftoi edhe për një afarist – shtetas gjerman, që ka shprehur interes lidhur me këtë. “Është në dorën tonë që t’i japim drejtim të ardhmes së klubit”, ka thënë kryetari Krasniqi.

Diskutimet ishin nga më të ndryshmet, gjithnjë në funksion të gjetjes së rrugëve për nxjerrje nga kjo situatë që po kalon KF Liria, jo vetëm ekipi i parë. Kritika pati edhe për Shkollën e futbollit, përfshirë kadetët e juniorët si dhe ekipin  e vajzave që po kalojnë krizë rezultatesh. “Kuvendarët e klubit u dakorduan dhe me votim unanim që KF Liria të shkojë drejt menaxhimit privat – privatizimit. Për këtë, një komision nga bordi aktual dhe tre anëtarë të Kuvendit (që me votë morën mbështetjen në Kuvend), u autorizuan dhe kanë kompetenca të plota për arritjen e marrëveshjes dhe ndjekjen e procedurave ligjore, bashkë me zyrtarë nga komuna, me të interesuar potencialë, për privatizimin e klubit”, thuhet në njoftimin e KF Liria.

Me këtë vendim, tashmë hapet rruga e ndryshimit të menaxhimit, siç ka qenë deri tash dhe KF Liria shkon drejt privatizimit.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizimi politik në Diasporë i Partisë Demokratike të Kosovës, po…