Kryediplomati kroat: Sa më shpejt të liberalizohen vizat për Kosovën

22 qershor 2021 | 11:55

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur të gjitha kriteret për t’i hapur negociatat për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur në Bashkimin Evropian dhe Kosova e meriton liberalizimin e vizave, ka thënë ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman të martën në Luksemburg, raporton “HRT”.

Para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, është theksuar se ende nuk ka marrëveshje për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë.

Për Shqipërinë nuk ka pengesa, por siç ka raportuar “HRT”-ja e Kroacisë, disa vende nuk duan të ndajnë çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nga hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Ministri kroat ka thënë se Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe se Kroacia e mbështet fuqimisht këtë.

“Kroacia do të donte të diskutonte statusin e kandidatit të Bosnjë dhe Hercegovinës sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai, duke shtuar edhe njëherë nevojën për ta ndryshuar ligjin zgjedhor në atë vend në mënyrë që të sigurohet barazia e tre popujve përbërës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhje në orën…