Hoxhaj: Kjo javë do të jetë vendimtare për të menduar për kandidaturën time për kryetar të PDK-së

28 qershor 2021 | 23:41

Enver Hoxhaj ka folur rreth kandidaturës së tij të mundshme për kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai ka thënë se kjo garë nuk është garë mes kandidatëve, pasi sipas tij, PDK-së i duhet pushteti në nivel qendror.

Hoxhaj ka thënë se kjo javë për të do të jetë vendimtare sa i përket nëse do t’i hyjë garës për kryetar të PDK-së.

“Nuk është gara mes nesh, sepse PDK-së i duhet pushteti në nivel qendror, pasi qeveria aktuale e zotit Kurti, e cila është autoritare dhe po e dëmton çdo ditë vendin. Ku keni dëgjuar në Evropë në 70 vjetët e fundit i cili kur pyetet për një dokument të administratës amerikane thotë se ende nuk e kam lexuar, më leni ta lexojë, mund të shihni se çfarë mendimi kanë. Prandaj për mua është një javë vendimtare dhe prej të hënës të mendoj për kandidaturën”, ka thënë Hoxhaj në një prononcim për gazetarët.

Për më tepër Hoxhaj ka theksuar se për postin e kryetarit të PDK-së mund të kandidojnë të gjithë anëtarët e kësaj partie, ndërsa nuk ka dashur të zbulojë nëse këto kandidatura do të shpalosen në mbledhjen e sotme të Këshillit drejtues të partisë.

“Çfarë unë kam bërë sa kam qenë kryetar në detyrë, kam ftuar publikisht, por ajo nuk ka qenë vetëm një farsë se jam demokrat, por i kam ftuar publikisht kolegët në strukturat e PDK-së, çdo anëtar i devotshëm që ta konsiderojë kandidaturën e tij, por kandidatura e secilit që mund të garojë, duhet të matet me fuqinë e votës më 3 korrik, por duhet të matet me zgjedhjet nacionale a do ta bëjë PDK-në parti të parë nacionale në vend”, është shprehur Hoxhaj

Hoxhaj ka bërë me dije se të gjitha kandidaturat e mundshme për kryetar do të dorëzohen me shkrim në grupin punues të partisë, për të cilën tha se ka më së shumti potencial për ta udhëhequr Kosovën.

Ndryshe, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj kanë dhënë dorëheqje kohë më parë nga pozitat aktuale për shkak të mbajtjes së Konventës së partisë më 3 korrik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy vazhdimet nga pesëmbëdhjetë minuta në ndeshjen Francë-Zvicër, kanë përfunduar…