Phoenixi kualifikohet në finale

01 korrik 2021 | 14:59

Phoenix Suns dhe Chris Paul fluturojnë në finalen e madhe të NBA. Skuadra nga Arizona dominoi Los Angeles Clippers në sfidën e gjashtë me rezultatin e thellë 130-103, duke e mbyllur serinë në shifrat 4-2.

Suns, në këtë mënyrë shfrytëzojnë “match-ball”-in e dytë, duke triumfuar pikërisht në shtëpinë e kalifornianëve në prani të rreth 18 500 tifozëve.

Për herë të parë në mijëvjeçarin e ri, Suns arrijnë në finalen e NBA, ku do të përplasen me fituesin e çiftit Millwaukee Bucks-Atlanta Hawks. Për herë të fundit luftuan për unazën e NBA në vitin 1993, të udhëhequr nga Charles Barkley, MVP i sezonit të rregullt, por që nuk mundi të bënte më shumë për të arritur suksesin përfundimtar kundër legjendës Michael Jordan të Chicago Bulls.

Lojtari më i mirë i përballjes së “Staples Center” ishte pa dyshim Chris Paul, me veteranin e Suns që shënoi plot 41 pikë. Sikurse ka ndodhur edhe në përplasjet e mëparshme, perioda e parë u zhvillua në ekuilibër të plotë, edhe pse në një moment Suns shkuan +8 pikë. Ndërkohë, pjesa e parë u mbyll me një epërsi të skuadrës nga Arizona, 57-66.

Pas pushimit Suns ruajtën tendencën pozitive duke e thelluar gjithnjë e më shumë diferencën, por në periodën e tretë Clippers provuan përmbysjen me Paul George dhe DeMarcus Cousins, duke e ngushtuar në 7 pikë hendekun, por miqtë nga Arizona ishin të papërmbajtshëm në periodën e fundit duke e mbyllur ndeshje me plus 27 pikë. Përveçse loja e Chris Paul, për Suns vlen të përmendet kontributi i DeAndre Ayton me “double-double”, 16 pikë e 17 “rebound”. Devin Booker e mbylli takimin me 22 pikë ndërsa Joe Crowder me 19 pikë. /Supersport/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë në Kosovë, zyrtarët ligjorë të institucioneve…