Hoti: Paqartësia e Qeverisë Kurti për marrëveshjen e Uashingtonit po e çon Kosovën drejt izolimit

01 korrik 2021 | 15:05

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka komentuar 100-ditëshin e parë të Qeverisë Kurti.

Hoti ka thënë se gjatë këtyre ditëve kanë parë një qeveri të dobët.

“Në 100 ditët e para, qeveria ka pasur një fillim të dobët  ashtu siç është pritur. U konfirmua se kauzat e ndërtuara me vite, përmes një opozitarizmi shpeshherë të dhunshëm, kanë qenë vetëm për qëllime elektorale. Në çështjet kryesore politike të vendit kanë treguar jo konsistencë dhe qasje që e dëmton vendin në afat të gjatë. Dialogu është kthyer në prioritet. Qasja e ndjekur nga qeveria, siç është prezantuar pas takimit në Bruksel në mesin e qershorit, nënkupton se po shkojmë drejt një marrëveshje të paqartë që nuk e zgjidh problemin në mes të dy vendeve”, ka thënë Hoti për “Infosot”.

Hoti në cilësinë e ekspertit të ekonomisë, ka thënë se Kurti nuk ka asnjë plan në mbështetjen e ekonomisë së dëmtuar nga pandemia e Covid-19.

“Në fushën e mbështetjes së ekonomisë të dëmtuar nga pandemia, nuk ka asnjë plan edhe pas 100 ditëve në qeverisje. Në politikat ekonomike nuk ka qartësi për bizneset dhe investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. Përpjekja për rritje të ndikimit të shtetit në ekonomi, përmes rritjes së kontrollit në sektorin e ndërmarrjeve publike dhe bankës zhvillimore, dërgon sinjale shqetësuese për investitorë dhe për sektorin e bankave dhe financiar në përgjithësi”, ka theksuar Hoti.

Ndërsa sa i përket menaxhimit të pandemisë, Avdullah Hoti e ka cilësuar si skandaloze vonesën e nënshkrimit të kontratës për blerjen e vaksinave kundër Covidit.

Më tutje, ai ka folur edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e kishte nënshkruar sa ishte kryeministër. Hoti ka thënë se Qeveria Kurti ka paqartësi rreth kësaj marrëveshje. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kurti është duke e quar Kosovën drejt izolimit.

“Paqartësia e qeverisë lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit po e çon Kosovën drejt izolimit. Është dëm i madh nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet sipas ritmit të planifikuar. Administrata e re e presidentit Biden e ka konfirmuar se do ta zbatojë, sepse është në interesin më të mirë të të dyja shteteve dhe në përputhje me interesat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, administrata e presidentit Biden ka ndarë 200 milionë euro për zbatim të projekteve të kësaj marrëveshje. Skandalet e zyrtarëve të qeverisë nuk kanë të ndaluar. Ministria e Jashtme ka shkaktuar situata të papërshtatshme dhe të dëmshme në disa takime ndërkombëtare. Ministrat konfrontohen me deputetë në vend që të japin përgjigje dhe informata për çështjet e ngritura nga deputetët”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Phoenix Suns dhe Chris Paul fluturojnë në finalen e madhe…