“Mulliri i Nikës”, tash tetë vjet vetëm monument kulturor

02 korrik 2021 | 11:08

Trashëgimia kulturore është një temë shumë e rëndësishme në të gjitha vendet e botës. Për ruajtjen e saj përkujdesjen institucione, shoqata, biznese, dashamirë e kush jo tjetër që ka një pikëtakim shpirtëror ose një fije kujdesi për objektet e vjetra. Edhe trashëgimia kulturore e Kosovës është një temë mjaft me interes për t’u trajtuar në cilado mediume dhe, po ashtu, mjaft me interes për t’u përkrahur nga institucione qendrore dhe lokale vendore dhe të huaja.

Që nga paslufta përkujdesje për trashëgiminë materiale dhe atë jomateriale po sa Kosova kanë treguar edhe organizatat e huaja ndërkombëtare që veprimtarojnë në Kosovë. Një prej objekteve të trashëgimisë materiale të Kosovës, për të cilin është treguar kujdes i veçantë, është “Mulliri i Nikës” i cili gjendet në fshatin Nerodime, përskaj fenomenit të bifurkacionit, në vendin ku bëhet ndarja fizike e bifurkacionit në dy degë, njëra që shkon për lumin Sitnicë, duke vijuar rrjedhën në Ibër deri në Detin e Zi, tjetra që vazhdon në Lumin Lepenc, më tutje Vardar dhe përfundon në Detin Egje.

Sipas rrëfimeve të qytetarëve të Ferizajt dhe familjes Kashtanjeva e cila është pronare e mullirit, “Mulliri i Nikës” është ndërtuar në shekullin XVI, në kohën e Perandorisë Osmane dhe është një nga objektet më të vjetra në Ferizaj. Pra, ka më shumë se 500 vjet. Sipas Shaban Kashtanjevës, babai i tij nuk e ka njohur Nikën, emrin e të cilit e mban mulliri. Sipas tij, nga ajo çfarë ka dëgjuar nga të tjerët, Nika ishte një njeri i pasur, i cili, për shkak të një zënke me një tjetër, kishte shkuar në Turqi. Në këtë mulli, që nga mosha 15 vjeçe e derisa ka ndërruar jetë, punonte babai i Shabanit, i cili pastaj është përkujdesur për mullirin. Ndër të tjera, Shabani ka njoftuar se mulliri ka punuar njëzet e katër orë, pa ndërprerë kurrë, sepse kishte kërkesa të mëdha për bluarje të misrit dhe të gruarit nga shumë qytetarë, të cilët pritnin dy javë kohë për ta kryer bluarjen.

 

Për shkak të rëndësisë dhe të vjetërsisë së tij, mulliri është nën mbrojtjen e përkohshme të trashëgimisë kulturore si peizazh natyror. Mulliri është restauruar në vitin 2002/2003, me ç’rast është bërë rindërtimi i shumë pjesëve të tij për ta ruajtur traditën e trevës së Ferizajt.

“Mulliri i Nikës”, sipas rrëfimeve të disa prej banorëve të vjetër të Ferizajt, për nga fuqia e punës ishte mulliri i dytë në këtë vend pasi para tij ishte Mulliri i Madh i cili kishte gjashtë gurë për bluarje e që gjendet rreth 500 metra larg nga “Mulliri i Nikës”.

Përpos këtyre dy mullinjve të mëdhenj, Ferizaj vite më parë kishte edhe 52 mullinj të cilët ishin të ndërtuar që të gjithë pranë rrjedhës së Lumit Nerodime. Pjesa më e madhe tyre sot nuk ekziston. Më të vegjlit janë shkatërruar me kalimin e viteve, disa të tjerë nuk janë në gjendje të keqe, por s’është interesuar askush më për funksionimin e tyre pasi që mullinjtë elektrikë i kanë nxjerrë nga përdorimi mullinjtë me gurë të cilët sjellin të ardhura të vogla materiale.

As “Mulliri i Nikës” që gjashtë vjet më nuk është funksional pasi që i është ndalur rrjedha e lumit Nerodime që buron në bjeshkët e Jezercit. Megjithatë, ai është i hapur për vizitorë edhe në ditë të fundjavës.

Aziz Guri, një qytetar nga Ferizaj, tregon se sot nuk vihet në këtë mulli për të bluar misër dhe grurë, por vihet për qejf, për të parë një monument që ka funksionuar moti dhe kohë të gjatë, si dhe për ta shijuar ushqimin tradicional të restorantit përbri mullirit.

“Mulliri i Nikës” është i ndërtuar nga materiali prej guri, realizim i mjeshtërve popullorë me përvojë, që ta përkujton teknikën e ndërtimit të kullave.

Mulliri para luftës ka punuar pa ndërprerë me katër gurë me kapacitet të plotë. Vinin të bluanin në këtë mulli banorë të qindra fshatrave të Ferizajt, Vitisë, Shtimes, Kaçanikut, nga e gjithë Kosova, thuajse. Sipas Gurit, mulliri ka pasur shumë punë dhe ka punuar natën dhe ditën. Me kalimin e kohës, ndër vite, është dëmtuar. Pastaj është rinovuar dhe tash, pas ndaljes së rrjedhës së ujit për funksionim, ka mbetur monument i rëndësishëm kulturor për vizitorët.

Guri tregon se, siç keni ardhur ju sot për ta vizituar dhe shkruar për të, ka pasur dhe ka mjaft interesim për ta vizituar objektin nga shumë qytetarë, të cilët vijnë bëjnë edhe fotografi me rastin e fejesës ose të martesës. Po ashtu, ai ka parë edhe shumë vizitorë shqiptarë që kanë ardhur nga Perëndimi, edhe vizitorë të kombësive të të huaja.

Brenda “Mullirit të Nikës” ka edhe gjësende të tjera të vjetra, si: magje, sofër, sitë, lugë, enë, bakej të drurit etj.

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat i hoqi redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare në Kosovë kanë qenë kundër vendimit të presidentes…