Ky është fjalimi përshëndetës i ish-komandantit të TMK-së, gjenerallejtnant Agim Çeku, në kuvendin e parë të PDK-së

03 korrik 2021 | 14:45

Prishtinë, 1999

I nderuar Kryetar,

Të nderuar delegatë të Kuvendit të Parë të PDK-së,

Të nderuar miq dhe pjesëmarrës,

Edhe për mua si Komandant i TMK-së është një nder i veçantë mundësia qe m’u dha për të përshendetur Kuvendin  e Parë të PDK-së. Sjell me këtë rast edhe urimet me të mira të Shtabi të Përgjithshëm dhe gjithë pjesëtarëve të TMK-së për  punë të sukseshme të këtij Kuvendi dhe realizim të detyrave dhe obligimeve qe do të dalin prej tij.

Ky Kuvend qe shënon  një ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për PDK-në dhe jetën tonë politike, vjen në një kohë kur strukturat qe kanë dalë nga transformi i UÇK-së po konsolidohen dhe po marrin fizionominë e vet të vërtetë. Prandaj edhe ky kuvend është vazhdimësi e transformimit, tregues i punës dhe të arriturave të deritashme të UÇK-së.

Ky kuvend si dhe pjesmarrja e kontributi qe po japin ish-pjesëtarët e UÇK-së në të gjitha fushat, qoftë në TMK, politikë, polici dhe sfera tjera të jetës sonë qartë dëshmojnë se sa e madhe ishte UÇK-ja, tregojnë me se miri shtrirjen e gjerë qe kishte kjo forcë në popull. Dëshmojnë edhe aftësitë e saj për te qenë sot edhe në paqe pjesa me e  rëndësishme e ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës

Këtë kuvend e kemi kuptuar si një ngjarje të rëndësishme dhe besojmë se ai do t’i japë shtytje  konsolidimit të metejmë të PDK-së, gjithë hapësirës politike të Kosovës dhe demokracisë se saj. Besojmë se ky kuvend do t’i ndihmojë edhe  krijimit të një atmosfere të shëndoshë politike dhe do të përcaktoi objektiva të qarta, realizimin e të cilave   populli i Kosovës e pret nga politika dhe të gjithë ne.

Ne pjesëtarët e TMK-së të përkushtura në përmbushjen e misionit tonë përcjellim më vëmendje edhe gjithçka ndodh rreth nesh dhe ndonëse jemi të vendosur të qendrojmë larg çdo aktiviteti  politik nuk mund të shohim me indeferentizëm zhvillimet politike në Kosovë. Ne përcjellim përpjekjet e të gjitha forcave politike sepse jemi të vetëdijshmëm se prej këtyre përpjekjeve varet në masë të madhe e ardhmja jonë, e ardhmja e familjeve tona, e ardhmja e gjithë Kosovës.

Ne Trupat e Mbrojtes se Kosovës, shtyllë tjetër e rëndësishme e transformimit të UÇK-së, po tregojmë se jemi të gatshëm për të përmbushur plotësisht misionin tonë, të cilin e kemi marrë përsipër. Të gjthë pjesëtarët tanë e konsiderojnë si shumë të nderuar punën qe po bëjnë, duke dëshmuar se do të jenë gjithmonë pranë dhe në shërbim të popullit.

TMK-ja është sot vlera me reale e Kosovës se pasluftës, vlera me e prekshme e saj, institucioni i vetëm i ndërtuar dhe i udhehequr prej kosovarëve. Ajo po bëhet një strukturë model për të ardhmen e Kosovës.

Ne kemi kryer dhe po i kryejmë  me sukses një sërë detyrash qe janë shtruar para nesh  duke ecur kështu me  hapa shumë të sigurt drejt objektivave tonë të qartë.

TMK-ja dhe lish-luftëtarët e UÇK-së janë duke bërë gjithçka qe të mund t’i shërbejnë Kosovës edhe në frontin e vështirë të pasluftës.Ne kemi besim se edhe në të ardhmen do të jemi në gjendje të bëjmë edhe me shumë edhe më mirë. Dhe në qoftë se pas transformim na janë ndarë rrugët dhe ndonëse tani detyrat, metodat dhe mjetet për realizimin e tyre i kemi të ndryshme, qëllimet i kemi të përbashkëta.

I kemi të gjitha arsyet për të besuar se edhe ju në frontin e politikës do të vazhdoni luftën për një të ardhme me të mirë , do t’i vazhdoni përpjekjet realizimin e detyrave të  shenjta qe i keni vënë vetës, për të arritur qëllimet e dëshiruara nga i gjithë populli i Kosovës.

Ne presim nga ky Kuvend të sjellë frymën  e bashkëpunimit, lirisë, paqes, tolerancës dhe demokracisë. Sepse këto vlera  ndihmojë për t’i tejkaluar ndarjet dhe urretjet e së shkuarës, të cilat mund të bëhen pengesë e madhe  në udhëtimin tonë drejt një të ardhmeje me të ndritur  dhe me të begatshme.

Në  ndërtimin e kësaj të ardhmeje secili i kemi përgjegjësitë dhe detyrat e caktuara.Një pjesë e madhe e kësaj përgjegjësie natyrisht i takon edhe TMK-së. Një pjesë tjetër e se ardhmes se Kosovës qëndron në aftësinë dhe gatishmërinë e  miqve tanë për të bashkëpunuar me ne në ndërtimin e institucione të vërteta e demokratike.

Por, prapeseprapë detyra me e vështirë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e fëmijëve tanë, ju bie ju politikanëve, mendjes dhe angazhimit tuaj.Ju njerëzit e veshur me besimin e popullit duhet të dini si t’i mbroni dhe t’i çoni përpara interesast e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

E dijmë se ju do të bëni detyrën Tuaj, ashtu siç po e bëjmë ne tonën.Besoj se në interesimet dhe angazhime tuaja të vazhdueshme për të mirën e  Kosovës ngritja, zhvillimi dhe mbështetja e TMK-së do të zënë kurdoherë vend të rëndësishëm dhe të merituar. Ne presim shumë nga Ju dhe forcat tjera politike sepse një politikë e qëndrueshme dhe stabile është një ndihmesë e madhe për TMK-në dhe gjithë popullin e Kosovës.

Numri i delegatëve të shumtë qe mbushin sot këtë sallë e qe vijnë nga e gjithë Kosova tregojnë se PDK-ja  është shtrirë në gjithë Kosovën duke u shfaqur një forcë e denjë politike. Por i mungojnë sot këtij kuvendi, edhe shumë ish-luftëtarë të UÇK-së- dëshmorë të kombit, disa nga të cilët do të mund të jepnin kontribut  edhe në fushën politike, ashtu siç po japin shumë bashkëluftëtarë të tyre.

Të gjithë ne, pavarësisht se ku japim kontributin tonë, duhe të kujtojmë e nderojmë kurdoherë me respekt veprën e lavdishme të  dëshmorëve.  Sepse  madhështia e tyre nuk na lejon të hedhim hapa të gabuar në rrugën drejt ndërtimit të se ardhmes se sigurt të Kosovës. Të një të ardhmje siç e deshën ata.

Para se të mbyll fjalën time, dëshiroj të përseris bindjen tonë se Ju të vetëdijshëm për detyrën shumë të vështirë dhe të rëndësishme qe keni përpara, do të bëni hapat e nevojshëm për të kaluar çdo pengesë në rrugën drejt forcimit të lirisë, demokracisë dhe rritjes se mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke Ju falenderuar për vëmendjen uroj qe ky Kuvend të jetë një hap  përpara drejt realzimit të vullnetit të përbashkët politik të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti…