Ali Ahmeti uron Memli Krasniqin: Të inkurajoj ta vazhdosh rrugën e Thaçit dhe Veselit

04 korrik 2021 | 13:53

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar Memli Krasniqin me rastin e zgjedhjes si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Me këtë rast, Ahmeti ka inkurajuar Krasniqin që ta vazhdojë rrugën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“I dashur Memli,  përzemërsisht të uroj për marrjen e përgjegjësisë dhe zgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në një proces demokratik dhe transparent.  Nevojitet guxim i veçantë për të marrë mbi supe përgjegjësi në kohëra sfiduese dhe për këtë të inkurajoj që të vijosh rrugën e trasuar nga paraardhësit e tu të cilët na mungojnë shumë dhe uroj si dhe kam bindjen që do të rikthehen shpejtë, faqebardhë dhe krenar.  Dy partitë tona ndajnë vlera të përbashkëta për demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit, shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Më tutje, Ahmeti ka thënë se BDI-ja do ta ketë PDK-në partnere të sinqertë.

“Tek unë dhe tek BDI do të gjesh partner të sinqertë dhe të përkushtuar për punë të mbara sepse Kosova,  thellë në mendjet dhe zemrat tona, është mall, është realizim ëndrrash, është zenit jetësor.  Të uroj shëndet dhe mbarësi në sfidën e re me dëshirat më të sinqerta për sukses në të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një sezoni në Serinë B me Spalin, Etrit Berisha…