Haxhijaj: 100 mijë euro shpërblim për medaljen olimpike

04 korrik 2021 | 16:00

Lojërat Olimpike janë padyshim një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë. Kosova është përfaqësuar denjësisht nga sportistët e saj në këtë ngjarje vitet e kaluara dhe ka për synim që të njëjtën gjë ta bëjë edhe kësaj radhe në Tokio.

Tashmë janë duke u bërë përgatitjet finale dhe ekipi prej 11-sportistësh nga fusha të ndryshme është i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën përkrah 200 vendeve të tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje. Pjesëmarrja në një eveniment kaq të madh dhe të rëndësishëm për sportin natyrisht se ka edhe një kosto të madhe, por sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, për “KosovaPress” zbulon se nuk do të mungojnë edhe shpërblimet për ata sportistë të cilët arrijnë rezultate të mira ose fitojnë medalje në Tokio. Në rast se një sportist arrin ta fitojë medaljen e artë atje, shpërblimi që e pret në Kosovë është 100 mijë euro.

“Çdo kund në botë shpenzimet për të arritur një medalje olimpike janë jashtëzakonisht të mëdha, ndoshta Kosova bën shpenzime më së paku në të gjithë rruzullin tokësor. Arsyet janë të shumta sepse edhe kushtet tona si Kosovë nuk janë të nivelit shumë të lartë ashtu siç do të dëshironim ne si komunitet i sportit që sportistët tanë t’i kenë kushtet më të mira. Mirëpo me kapacitetet që i ka Kosova, realisht institucionet e Kosovës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e këtyre sportistëve që ata ta arrijnë nivelin më të mirë të mundshëm dhe normal. Këto përgatitje duan edhe kosto, duan edhe shpenzime. Ta zëmë, një medalje olimpike nëse e fiton, një medalje të artë olimpike, shteti i Kosovës i jep 100 mijë euro neto për atë sportist dhe gjysmën e saj për trajnerin. Kjo ka ndodhur edhe kur Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Rio. Krahas kësaj janë edhe shpërblimet për medaljet e fituara në Kampionatin Botëror dhe Kampionatin Evropian. Të gjitha këto prej institucioneve respektohen, po ashtu edhe infrastruktura është e kushtueshme”, ka deklaruar Haxhiaj. Ndryshe, Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të zhvillohen nga 23 korriku deri më 8 gusht 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amerikanët po festojnë ditëlindjen e 245-të të vendit të dielën…