Chiellini: Që tre vjet ëndërrojmë këtë çast

11 korrik 2021 | 13:11

Giorgio Chiellini e pranon se ai mendonte se Roberto Mançini ishte ‘i çmendur’ kur foli për fitimin e “Euro 2020” nga Italia, ndërsa shtoi se pret një finale të shkëlqyeshme ndaj një skuadre të fortë siç është Anglia. Finalja e madhe mes Anglisë dhe Italisë zhvillohet të dielën në “Wembley” nga ora 21:00. “Është një ëndërr që ne e kultivuam për tre vjet dhe trajneri na e shpoi në kokë derisa u bë realitet. Kur ai na tha në fillim të mendonim për të fituar ‘Euro 2020’, ne menduam se ai ishte i çmendur. Megjithatë, jemi pikërisht atje dhe vetëm një centimetër larg trofeut”, ka thënë Chiellini.

Italia kishte një rrugë shumë të vështirë për në finale, megjithëse jo aq sa e priste mbrojtësi Chiellini. “Ne menduam se do të përballeshim me Francën në vend të Spanjës në gjysmëfinale, pasi ata ishin favoritët e mëdhenj, ata kishin të gjithë cilësinë e nevojshme dhe përvojën ndërkombëtare. Mendova se Franca ishte një hap mbi pjesën tjetër, kështu që kisha supozuar se rruga jonë drejt finales do të ishte Belgjika, Franca dhe Anglia”, ka shtuar mbrojtësi italian.

Chiellini më pas tregon pse ka besuar se anglezët do të jenë në finale të Kampionatit Evropian. “Unë menjëherë mendova se Anglia do të ishte një kandidate serioze për të fituar ‘Euro 2020’. Ajo ka cilësi dhe fizik, është solide dhe e organizuar, mund të mos jetë e lehtë për syrin, por është e vështirë për t’u mposhtur. Lojtarët e saj ata arritën në gjysmëfinale në Kupën e Botës, plus ishte e parashikueshme që Anglia do të ishte në finalen e Evropianit, pasi luajti gjashtë nga shtatë ndeshjet në terrenin vendas”, ka shtuar ai.

Chiellini e ka lavdëruar edhe sulmuesin Harry Kane, por edhe lojtarët e tjerë ofensivë: “Kane është një lojtar që më ka pëlqyer gjithmonë shumë. Mbaj mend një nga ndeshjet e tij të para në Torino dhe ai menjëherë më bëri një përshtypje të mirë. Ne kemi pasur fatin të luajmë kundër Tottenhamit, kështu që unë e njoh atë mirë. Anglia nuk është vetëm Kane, pasi ka lojtarë të jashtëzakonshëm që sulmojnë nga krahët. Vetëm stoli i saj mund të fitojë Euron, pasi aty janë Jack Grealish, Jadon Sancho, Marcus Rashford, Dominic Calvert-Lewin dhe Phil Foden. Do të jetë një lojë e shkëlqyeshme e futbollit. Asnjëra skuadër nuk do të ketë frikë dhe të dyja do ta respektojnë njëra-tjetrin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e…