Abdixhiku: Zoti i bekoftë familjet tuaja!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Abdixhiku shkruan se kjo festë, kaq e rëndësishme për besimtarët myslimanë, është sinonim i sakrificës, devotshmërisë dhe mirënjohjes për Zotin.
Lexoni urimin e plotë:
“Besimtarë myslimanë,
Me fat Bajramin!
Kjo festë, kaq e rëndësishme për besimtarët myslimanë, është sinonim i sakrificës, devotshmërisë dhe mirënjohjes për Zotin. Ajo na mëson ndjenjën e mirëkuptimit, dashurisë e respektit për njëri tjetrin. Na mëson përkushtimin ndaj familjes e na rikujton se sa e rëndësishme është dhembshuria e kujdesi për njerëzit në nevojë.
Këto vlera, kaq njerëzore, uroj të udhëheqin shoqërinë tonë gjithmonë.
Fatkeqësisht, edhe këtë vit – sërish – besimtarët myslimanë e kanë të pamundur të kryejnë pelegrinazhin e Haxhit. Fatkeqësisht, edhe këtë vit, jo pak bashkëqytetarë tanë përballen me vështirësi. Shpresoj, gjithsesi, se përkundër të gjithave, në frymën e traditës sonë fetare, ne do të mbesim afër familjarëve, miqve e nevojtarëve. Të gëzojmë të mirat e të ndajmë hallet. Sepse begatitë e solidaritetit mbesin virtytet tona më të veçanta.
Zoti i bekoftë familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.