Mars 2002, rikthimi në burgun e Dubravës nga burgjet e Serbisë

21 korrik 2021 | 18:06

Rrëfime nga ish-i burgosuri dhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani

Sapo kaluam kufirin në Merdar, autobusët, në vend se të ndaleshin për të na lënë të zbritnim dhe të bashkoheshim me familjet tona që kishin dalë për të na pritur, shoferët u dhanë gaz me furi. Sikur ndienin rrezik nga turma që ishte mbledhur dhe priste me mall prindërit, djemtë e tyre që ishin marrë peng më 10 qershor 1999 nga burgjet e Kosovës e ishin mbajtur peng për vite të tëra në burgjet e Serbisë. Mes brohoritjeve e zërave “UÇK-UÇK…”, ne kaluam turmën e njerëzve që vraponin nga makinat e tyre për të na nxënë me autobus. Ata shpresonin se do të na lënë në Prishtinë. Ne para me autobus, ata prapa me makina. Ne shpresonim të ndaleshim diku në Lipjan apo Prishtinë, por autobusët nuk u ndalën fare! Ata vazhduan, duke lënë anash Prishtinën dhe morën rrugën drejt Pejës. Ne mbanim tashmë kokën lart që nga Merdari, pa frikë të gjithë, dhe shikonim jashtë dritareve të autobusit. Dëgjoheshin sirenat e makinave që na ndiqnin prapa. Ne para, ata prapa. Mbërritëm para dyerve të burgut të Dubravës. Duke iu afruar burgut dhe duke më dalë para syve skena të tmerrit, të masakrave, të vrasjeve, të të plagosurve që kërkonin ndihmë, të burgosurve që më shumë e donin vdekjen e shpejt sesa jetën, duke pritur vdekjen. Kokën ma mbuluan mendimet e trishtueshme, trupim ma kapluan djersët, akoma më vinin zërat e të burgosurve të plagosur për ndihmë, kisha humbur në fuqinë e kujtesës përballë skenave dhe eskadronëve të vdekjes, kur autobusi u ndal në oborrin e pavijonit, të pavijonit që kishim qenë aty gjatë bombardimit.

Gardianët kërkuan të dilnim me një mirësjellje të butë e mikpritëse. Ne dolëm një nga një me teshat që kishim dhe u mblodhëm në korridor. Disa gardianë që na njihnin na përqafuan, na ofruan shërbim e mundësi që të çlodhemi nga rruga. Pas disa procedurave na vendosën në katin e parë, konkretisht në anën e majtë të hyrjes nëpër dhoma, në të kundërtën e kohës që kishim qenë gjatë bombardimeve.

Në dhomën e parë më vendosen mua e të tjerët nëpër dhoma të tjera. Na sollën darkë. Pas darkës gardianët na ofruan shërbim të flisnim në telefon nga kabina, por ishte e pamjaftueshme. Kështu që telefonat që i kishin pasur të burgosurit e tjerë na ofruan për komunikime me familjarët. Biseda me ta u fokusua për rrugëtimin tonë që kishim kaluar deri në Merdar dhe kushtet tashmë këtu si dhe a kemi rroba këtu në Dubravë etj. Të burgosurit e tjerë tashmë këtu ishin në uniforma. Ne ishim me veshje civile, me teshat tona që i kishim në burgjet e Serbisë.

Ramë të flemë, por mua nuk më merrte gjumi, madje as të burgosurit e tjerë fare nuk flinin. Të gjithë e kishin mendjen te familjet e tyre dhe te lirimi që e pritnim të ndodhte. Më silleshin në kokë skenat e masakrës. Në dhomën përballë, në kohën e bombardimeve, ishim një grup që këndonim marshin e UÇK-së, që për herë të parë e dëgjoja. Ishte frymëzues, ishte shpirtëror e luftarak, ishte marsh që të ngjallte dëshirën luftarake e jepte vullnet, guxim dhe zemër. I shihja pleqtë: dajën Dinë – Hajdin Ramën, axhën Nezë – Nezir Zogajn, që ishin simbole të qëndresës e të sakrificës së tre gjeneratave bashkë për liri, që rrinte ulur axha Nezë mes plumbave pa i bërë syri “verr” as luajtur kokën. Pas ndaljes së gjuajtjeve në fushën e sportit kemi shkuar dhe e kemi marrë sepse ai e kishte këmbën në gips që ia kishin thyer gardianët. Në këso skena, sa në sallë të sportit, sa në pavijonin “C”, sa në fushëbetejë, sa në ambulancë, sa me të plagosur, më kishte zënë gjumi.

Ky kthim në këtë burg ku kishin vrarë mbi 120 të burgosur dhe plagosur rreth 300 të tjerë, ishte përjetimi më i rëndë që u bë ndaj ne të burgosurve që kishim përjetuar këtë tmerr. Nuk di me çfarë qëllimi, për mua kjo ishte tortura më e rëndë shpirtërore që më është bërë. Kthimi në vendin e krimit ku shteti kriminal serb na kishte vrarë e plagosur me qindra të burgosur, ishte gjëja më e tmerrshme që mund të bëhej ndaj nesh. Por ne ishim aty tashmë ku shteti kriminel serb na kishte vrarë.

Zilja ra në mëngjes dhe ne u zgjuam. Kryem pastrimin. Kishim një trajtim të kujdesit të veçantë nga gardianët tanë, duke na përshëndetur. Më thërrasin gardianët që të dal në korridor. Kishte ardhur drejtoresha e burgut, një grua e huaj nga administrata e UNMIK-ut. Më thotë t’i duhet t’i bësh teshat gati e të dalësh sot nga burgu. E pyes: këta shokët e mi që kemi ardhur nga burgjet e Serbisë, a do të dalin me mua? Tha jo! Një herë duhet t’i shqyrtojmë lëndët, pastaj i lirojmë. I them më vjen keq, unë vetëm nuk dal dhe këta janë si unë. Këta janë të burgosur, kemi ardhur nga Serbia dhe kanë të njëjtën vepër me mua. Krejt që kemi ardhur nga Serbia jemi një ose të gjithë ose unë nuk dal nga këtu i vetëm. Kështu tregoju shefave të tu. Dhe nuk keni bërë mirë që na keni sjellë këtu ku na ka vrarë Serbia. Kjo për mua është e papranueshme, por ju e keni bërë. Unë vetëm nuk dal dhe pikë. Gardianët dëgjonin e përkthyesja përkthente. Dal nga zyra e saj dhe shkoj drejt në dhomë. Aty më pritnin shokët e dhomës. U thashë se duan të më lirojnë sot e juve pas disa ditëve, sepse dëshirojnë t’i shqyrtojnë lëndët e tyre. Hamdiu, Isaku, Vehbiu, Muhameti etj. më shikuan të habitur. Thashë vetë nuk dal, ne bashkë jemi dhe bashkë kemi qenë. Ose dalim bashkë ose as unë nuk dal. Unë me dal e ju me mbet këtu, nuk bën. Në këto biseda telefonatat kishin filluar. Thërrisnin familjarët që tashmë kishin filluar të mblidheshin para burgut. Më morën në telefon. Më thanë po të thërret Rexha (Rexhep Selimi). Mora telefonin dhe flas me të. Më thotë se tash edhe pak do të lëshojnë në bazë të bisedave që kanë pasur institucionet me autoritetet dhe drejtorin e burgut. Unë i them vetëm unë me dal nga burgu e këta mos me dal a?! Rexha më thotë janë në bisedime për të gjithë, por ti më thotë do të dalësh i pari. I them më vjen keq, por unë nuk dal vetëm nga burgu e t’i lë këtu të burgosurit e tjerë. Ose dalim të gjithë, ose as unë nuk dal vetë. Dhe ngula këmbë mos të dal vetë.

Në dhomë na sollën një aparat fotografik dhe bëmë fotografi në dhomë me Isakun e Vebiun, me Hamdiun e Muhametin. Pastaj e zgjatnim kokën nga dritaret të shihnim fushën, t’i shihnim ato skena të tmerrshme që në kujtesën tonë ishin të freskëta. Secili kujtonte vendet se këtu kam qenë unë e ai ka qenë atje. Kërkuam nga gardianët të shkojmë te fusha, por nuk na lanë, duke kërkuar me mirësjellje që t’i kuptojmë, se nuk bën. Pas bisedës që pata me drejtoreshën, ajo e kuptoi se ne jemi të lidhur si të burgosur mes vete. Nuk e lëmë njëri-tjetrin vetë, e sidomos të burgosurit politikë. Këtu të gjithë ishim thuaja të burgosur politikë që kishim ardhur nga Serbia. Prandaj këtu vlen thënia “një për të gjithë, të gjithë për një”. Ajo kishte përcjell këmbëngulësinë time te përfaqësuesi special i UNMIK-ut në Kosovë, Michael Steiner. Presioni im dhe i familjarëve jashtë ishte shenjë se do të dilnim të gjithë. Familjarët që në mëngjes, para dyerve të burgut ishin mbledhur duke pritur lirimin tonë. Ata pritnin jashtë, ne pritnim brenda. Të dyja palët pritnim e dita ecte.

Pas mesditës erdhi urdhri që të bëhemi gati e të dalim të gjithë. Por, tashmë na duhej të shkonim t’i merrnim teshat te Shtëpia e Kulturës brenda burgut, se atje i kishin dërguar. Atje shkonim grupe-grupe. Atje pashë gardianët e vjetër që kanë qenë dhe në kohën para lufte ku unë kisha ndenjur në këtë burg edhe më herët në vitet 1989-1990, në kohën e vlimeve politike të mëdha, kur Millosheviqi kishte marrë autonominë e Kosovës dhe kishin shpërthyer grevat e minatorëve, protestat e qytetarëve në mbështetje të autonomisë. Aty isha deri në ndryshimet Kushtetuese të sistemit jugosllavë, ku hiqej sistemi njëpartiak dhe lejohej pluralizmi politik në Jugosllavi. Me këto ndryshime kisha dalë nga burgu së bashku me një grup shokësh, pra nga ky burg i Dubravës.

Gardianët aty m’i kujtuan këto ngjarje. Aty ishte Sokoli, një gardian shumë i sjellshëm e atdhetar. Më përqafoi dhe na ndihmoi që procedurat të kryhen sa më shpejt. Me Sokolin e gardianë të tjerë e kujtonim atë kohë derisa grupi ynë i përfundoi procedurat. I morëm teshat dhe shkuam në dhomë. Prisnim kur të bëheshim gati të gjithë. Pasi i morëm të gjitha teshat tona, pritnim ende. Askush nuk kishte një përgjigje. Ne prisnim dhe bisedonim me shokë të burgut. Unë kisha bërë dhe planet si të dal dhe nga të shkoj.

Rreth orës dy na thirrën gardianët t’i marrim teshat dhe të dalim në oborr. Morëm rrugën drejt portës dhe përballë shkollës na ndalën. Nga dera e portës kryesore u shfaq administratori i Kosovës, Michael Steiner. U afrua afër nesh, hyri në mes dhe na përshëndeti, duke na uruar për kthimin tonë në Kosovë.

Ju dëshiroj mirëseardhje! Ne kemi bërë në vazhdimësi përpjekje që t’ju sjellim në Kosovë. Ne jemi kujdesur përmes kanaleve tona për ju atje në burgjet e Serbisë. E dimë që keni vuajtur në ato burgje, por sot ju po u ktheheni familjeve të juaja dhe ju uroj shëndet e mirësi të jetoni në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare dhe UNMIK-u janë këtu për t’i mbështetur qytetarët e Kosovës. Ju uroj fat!

Pas këtyre fjalëve të Michael Steinerit, së bashku me të morëm rrugën drejt daljes te porta kryesore. Duke ecur dhe duke u afruar afër portës, në një çast këmba më shkeli në derë dhe ktheva kokën mbrapa dhe sikur lashë një pjesë të gjakut tim aty dhe plagën e mora me vete që do ta kem kujtim për tërë jetën. Te porta e qita hapin të kaloj nga një e kaluar, duke e mbyllur dritaren e historisë së burgut, atë dritare me vuajtje e përjetime nëpër burgje, me torturat e dhunën e ushtruar ndaj meje e ndaj të burgosurve të tjerë.

Burgun e lamë prapa, por kujtimet dhe vuajtjet, për vrasjet, masakrat në burgje e dhunën e përdorur ndaj të burgosurve, i morëm me vete secili në mënyrën e vet në shpirtin e tij. Nga ky çast, nga kjo datë e nga kjo ditë, e mbyllëm derën e burgut dhe u hap një dritare e re për ne (tashmë ish-të burgosurit), një dritare e jetës sonë në liri, tashmë jemi të lirë, nga sot ne u rilindëm, pasi dolëm gjallë nga ferri e tmerri. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, në…