Haradinaj: Masakra e Qyshkut, dëshmi për rrugën e vështirë deri në liri

14 maj 2018 | 11:40

“Masakra e Qyshkut është njëra prej ngjarjeve dhe dhimbjeve më të mëdha të kohës së luftës, pra një masakër e plotë civilëve të pafajshëm, të pambrojtur. E vërteta është që kemi plot vende ku pushojnë qindra qytetarë të pafajshëm, të pambrojtur, pra të asaj kohe, të paarmatosur”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj pas homazheve te lapidari i të rënëve në Qyshk, në shënimin e përvjetorit të masakrës së mbi 100 civilëve, banorëve të fshatrave Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se masakra e Qyshkut, dëshmon për rrugën e vështirë deri në liri, njëkohësisht për dhimbjen e madhe.

“Por është edhe një porosi për drejtësinë si vendore, si ndërkombëtare që të vendoset drejtësia, pra të dënohen kryesit e këtyre krimeve ndër më të mëdha që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë”, është shprehur kryeministri.

Haradinaj ka bërë homazhe në fshatin Pavlan, Zahaq e Llabjan të Komunës së Pejës.

Në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan nga forcat serbe janë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të zhvendosur nga fshatrat Vranoc, Raushiq, Batushë, Graboc e Zllapek, që strehoheshin në këto fshatra.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dërgimi i njeriut në mars është ende larg, por NASA…