Nga sot, ndalohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

28 korrik 2021 | 11:34

Forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Vrasjet janë njohur si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Në Bosnje e Hercegovinë, mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës ndalohen nga sot.

Kjo, pasi plotësimet në Kodin Penal të Bosnjës, që u bënë nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, dhe që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, hynë në fuqi.

Një ditë më herët, ato janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Bosnjës.

Për shkelësit e Kodit Penal, këto ndryshime parashikojnë tani dënime me burg prej tre muajsh deri në pesë vjet.

Valentin Inzko, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë. Fotografi nga arkivi.

Vendimi i Inzkos për plotësimet, i publikuar më 23 korrik, nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe në Bosnje.

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili vjen nga ky entitet, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Dodiku ka mohuar se në Srebrenicë të Bosnjës ka pasur gjenocid.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8 000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet janë njohur si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësues të Republika Srpskës nisën të martën bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në seancën e sotme…