Rama: Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën

29 korrik 2021 | 12:31

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet në Shkup, ai ka thënë se vendet e rajonit nuk duan të jetojnë në të shkuarën.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tre vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Sepse këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes, janë të pranishëm ata që krijojnë punë, krijojnë të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje. Është shumë e qartë që për të gjithë ata kjo nismë është gjëja e duhur, dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa, është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektivë me vende pune mirë të paguara sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se këto vende duan ta projektojnë të ardhmen përmes një nisme e cila i ngjan BE-së. “Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën. Duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re në fakt, por thjeshtë sjellë në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së. Duke synuar jetësimin e 4 lirive themelore të BE-së. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të kapitaleve të lëvizjes së shërbimeve. Për çfarë arsye në botë ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri, siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjeshtë nga çfarë bëjmë ne, por nga çfarë mendojnë të tjerët”, ka deklaruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ka shpenzuar nga buxheti i…