Andin Hoti thotë se do të angazhohet për fatin e personave të zhdukur në Kosovë

29 korrik 2021 | 13:38

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, i cili e drejton edhe delegacionin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, ka takuar përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve për persona të zhdukur në Kosovë.

“Si kryesues por edhe si familjar, jam zotuar për bashkëpunim të ngushtë me familjarë dhe me shoqata, për të siguruar dhe trajtuar informacionet e mundshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se Komisioni së bashku me institucionet e tjera të linjës, aktualisht po punon në disa lokacione të mundshme brenda territorit të Kosovës. “I sigurova se familjarët dhe shoqatat që i përfaqësojnë ata, në komunat përkatëse, do të jenë të informuar rregullisht për ecurinë. Po ashtu, i njoftova se jemi në pritje të raporteve të ADN-së për gërmimin e varrezës masive në Kizhevak, dhe sapo t’i kemi këto raporte do të njoftohen me rezultatet”, është shprehur Hoti.

Ai ka theksuar se Ligji për Persona të Zhdukur është në plotësim/ndryshim nga Ministria e Drejtësisë, dhe, sipas tij, janë të vendosur që krahas këtij plotësimi, të përmbushen edhe kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.

“Në të gjitha takimet kemi bashkëbiseduar edhe për çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Komisionit dhe që kërkojnë bashkëpunimin e familjarëve të shoqatave për të zhdukurit. Jam shumë i nderuar dhe i vlerësoj pamasë urimet e mirëpritjen e zgjedhjes time si kryesues, dhe besoj që së bashku të arrijmë sado pak ta shërojmë këtë plagë të shumë familjeve e të mbarë Kosovës”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur në konferencën për…