Policia në Mitrovicë gjatë fundjavës aplikon kontrolle të shtuara me alkool-test

02 gusht 2021 | 17:28

Krahas detyrave të përditshme të zbatimit të ligjit, Policia në Mitrovicë ka shtuar masat e sigurisë të parapara me planin operativ “Sezoni veror 2021”.

Në kuadër të këtij plani, duke marrë për bazë fluksin e madh të pjesëmarrjeve në trafik dhe me qëllim të ngritjes të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, gjatë këtij vikendi policia ka shtuar kontrollet me alkool-test.

“Kontrolle të tilla me alkool-test janë aplikuar në të gjithë zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Jug, si në rrugët nacionale, rajonale mirëpo duke mos përjashtuar edhe rrugët lokale dhe ato në brendësi të qyteteve. Gjatë vikendit janë realizuar rreth 72 kontrolle me alkool-test dhe janë shqiptuar 5 gjoba për kundërvajtje në trafik ndërsa në një rast është ndëshkuar një person në bazë të dispozitave të Ligjit për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike (dehje në vend publik). Policia në Mitrovicë edhe ditëve në vazhdim do të vijoj me këto masa të shtuara me qëllim të identifikimit të rasteve dhe ndëshkimit të gjithë atyre drejtuesve të cilët drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit dhe në këtë mënyrë rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik por edhe veten e tyre”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar se nga 144…