Profesorë, intelektualë e themelues të UÇK-së i bashkohen PDK-së në kryesinë e re

06 gusht 2021 | 11:13

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka zgjedhur Kryesinë e re e cila përbëhet nga zyrtarë të PDK-së që janë rritur organikisht në këtë parti dhe emra të rinj që i janë bashkuar vizionit të PDK-së dhe kryetarit Memli Krasniqi.

Kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë para anëtarëve të Këshillit Drejtues se Kryesia e re e PDK-së do të përbëhet nga njerëzit e devotshëm të saj që kanë qenë në PDK që nga themelimi por edhe nga gra e djem të rinj profesionistë që besojnë në vizionin e PDK-së.

“Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë qenë shumë të rinj në fillet e PDK-së, e që si të rinj kanë besuar e kanë rrugëtuar me PDK-në deri sot, kur janë kalitur e janë të gatshëm për të zhvilluar betejat politike të saj. Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë përvojë në politikën kosovare jashtë PDK-së, e të cilët, tashmë janë të bindur se vetëm brenda PDK-së e me PDK-në, Kosova ecën në rrugën e duhur të zhvillimit e integrimit. Përvoja e të cilëve e plotëson mozaikun tonë gjithëpërfshirës e të pa alternativë. Dhe së fundmi, përbëhet po ashtu nga njerëz komplet të rinj, jo veç në PDK, por edhe në politikë, të cilët janë vlerë e shtuar e që përbëjnë avantazh për ne, por që janë profesionistë, e njerëz kompetent me përvojë në fushat e tyre, të cilët sot na duhen e të cilët i kanë besuar vizionit tonë. Pra, një kryesi, që e lidhë çdo hallkë të PDK-së, të përvojës së saj, të identitetit të saj, të profesionalizmit dhe qeverisjes së saj, dhe të perspektivës së saj në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu ka thënë se anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk janë aty për kurrfarë privilegji, por për përgjegjësitë që i presin, dhe siç tha ai, këto përgjegjësi janë të mëdha. “Kjo kryesi e re, do të prodhojë orientimin politik të PDK-së. Do të prodhojë orientimin ideor të saj. Do të prodhojë organizimin e saj. Do të prodhojë aktivizimin e saj. Do të prodhojë alternativën e qeverisjes me Kabinetin e Qeverisjes së Mirë. Pra një kryesi e punës dhe angazhimit”, ka thënë ai.

Por, kush janë emrat e rinj që për herë të parë u bënë pjesë e lidershipit të ri të PDK-së?

Profesoresha e njohur e psikologjisë, Donika Shahini – Lami është bërë pjesë e Kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues.

Shahini-Lami, më parë ka punuar për 10 vjet në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE). Ajo po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë si dhe ka punuar për televizionin publik japonez – NHK si dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare.

Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Bernard Nikaj, profesor, diplomat, ish-ambasador i Kosovës në Bruksel, po ashtu i është bashkuar PDK-së në Kryesinë e re. Nikaj është i shkolluar në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore.

Anëtare e re e Kryesisë së PDK-së është zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj, e shkolluar në universitete amerikane, dhe me përvojë mbi 10-vjeçare në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit.

Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione të njohura vendore e ndërkombëtare.

Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është bërë edhe Bekim Çollaku. Ai është i shkolluar në Britani të Madhe, me përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe shef stafi i kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi.

Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Adri Nurellari, politolog, pedagog e publicist.

Nurellari ka qenë më parë shef i kabinetit të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe keshilltar i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Sekretar i përgjithshëm i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli. Kryesia e re e PDK-së me vendim të Këshillit Drejtues do të ketë pesë nënkryetarë dhe pesë sekretari. Nënkryetarë të PDK-së janë zgjedhur Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Ramë Buja dhe Enver Hoxhaj.

Anëtarët tjerë të Kryesisë së PDK-së janë zgjedhur emra të njohur të PDK-së dhe zyrtarë të kësaj partie që janë rritur organikisht në PDK e ata janë: Blerand Stavileci, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi – Dragusha, Sokol Bashota, Rashit Çalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj – Gutaj, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtim Gashi, Safete Hadergjonaj dhe Donjet Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj,…