Rreth 2 000 raste aktive me Covid në Kosovë, bëhet thirrje për vaksinim

08 gusht 2021 | 17:30

Të dielën në Kosovë janë regjistruar 269 raste të reja me Covid-19, bazuar në 4 492 mostra të testuara, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Më së shumti të infektuar janë regjistruar në Prishtinë, 63, pasuar nga Ferizaj me 25 dhe Podujeva me 24 të infektuar. Sipas raportit ditor, më së shumti raste janë shënuar në grupmoshën 20-29 vjeç, përkatësisht 76 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Të shëruar nga sëmundja Covid-19 janë regjistruar edhe 25 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1 903.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 8 gusht 2021 Kosova ka regjistruar gjithsej 109 931 raste me Covid-19, viktima 2 271, ndërsa 105 757 pacientë janë shëruar.

Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) u bëri thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen fushatës së imunizimit kundër Covid-19.

“Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima”, thuhet në një postim të IKShPK-së në rrjetin social “Facebook”.

Varianti ‘Delta’ është shumë më ngjitës dhe po dominon në mbarë botën. “Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale, por dobia e mbrojtjes nga Covid-19 është shumë herë më e madhe”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur nisi procesi i vaksinimit, në Kosovë janë administruar mbi 480 mijë doza të vaksinës.

Në Kosovë qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën ‘AstraZeneca’ apo ‘Pfizer’.
Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të këtij viti të imunizojë kundër Covidit 60 për qind të popullatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po bëhen shtatë vjet prej kur Qeveria e Kosovës kishte…