Cen, vendi ynë tash është i lirë, fal gjakut dhe rënies tuaj dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve

17 gusht 2021 | 12:15

In Memoriam – Cen Dugolli  25/9/1966- 17/8/1998

Shkruan: Bujar Dugolli

Muaji gusht i vitit 1998, ishte plot me zhvillime dramatike për Kosovën. Në mbrëmjen e 17 gushtit, derisa po e dëgjoja edicionin e lajmeve në RTSH  e mora një lajm të rëndë për familjen tonë. Cen Dugolli ishte mbytur me torturë në burgun e Prishtinës.

Aktivitetet e Cenit

Ceni, gjatë viteve të 90’ta, ishte aktivist i shumë organizimeve patriotike të asaj kohe, si: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Ferizaj, LDK-së, shoqatës “Nënë Tereza”, aktivist i Unionit të Pavarur të Studentëve në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj dhe së fundmi edhe pjesëtar i UÇK-së, në Zonën e Nerodimës.

Arrestimi dhe tortura

Arrestimi nga policia serbe e Cenit, kishte ndodhur në orën 8:00 të mëngjesit, të datës 21 qershor 1998, në shtëpinë e tij në Ferizaj.

Ceni ishte dërguar në burgun e Gjilanit dhe disa ditë më vonë ishte transferuar në burgun e Prishtinës.

Policia serbe gjatë arrestimit kishte përdorur dhunë ndaj Cenit, edhe në prezencën e familjes dhe të fëmijëve të tij të vegjël. Fëmijët qanin dhe e pyesnin nënën e tyre, pse dhe ku po e dergojnë babin. Njëri nga policët serb, në gjuhën shqipe ju kishte thënë fëmijëve në prezencën e nënës së Cenit dhe bashkëshortes, se do e kthejmë babin shumë shpejt, por do ja presim kokën.

Gjatë muajit gusht të vitit 1998, ishin përshkallëzuar luftimet gjithandej nëpër Kosovë, ndërsa familja në Drenicë e kishte të pamundur të dilte nga rrethimi, vëllezërit tjerë ishin pjestarë të luftës çlirimtare, ndërsa unë krahas aktiviteteve tjera në Lëvizjen Studentore, tani duhej të kujdesësha edhe për Cenin dhe për Enverin, që po ashtu ishte arrestuar nga policia serbe, në janarin e vitit 1997 dhe mbahej në burgjet serbe.

Danica Marinkovič, ishte gjyqtarja hetuese e regjimit të Milloshevičit që i përgatiste dhe i montonte proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në atë kohë. Një proces të tillë, me dhunë e terror, ajo tani po e përgatiste edhe kundër Cenit.

Ceni ishte treguar besnik ndaj shokëve të organizimit. Organet e sigurimit serb, nuk kishin arritur të zbulonin asgjë nga Ceni, por kjo gjë i kishe kushtuar me jetë!

Për të arritur sadopak të kujdesem për mbrojtjen juridike për Cenin dhe për t’ia mundësuar edhe nënës Mihrijes dhe bashkëshortes së Cenit, Sanijes, ta vizitojnë atë në burgun e Prishtinës, unë angazhova avokatin Dastan Rukiqi, i cili po ashtu ishte angazhuar edhe te rasti i vëllaut, Enverit, deri sa kishte përfunduar procesi gjyqësor ndaj tij në vitin 1997. Pasi që Enveri ishte transferuar në burgun e Nishit, në Serbi, tani ishte bërë e vështirë për avokatin Rukiqi që të kujdeset për të edhe atje ku gjendej, prandaj kërkova nga ai që tash e tutje të merret vetëm me rastin e Cenit.

Dastani e bëri maksimumin për t’u kujdesur për Cenin, deri sa përfundoi edhe vetë në burg.

Avokati Destan Rukiqi, u arrestua më 23 korrik, me akuzen për “fyerje” (kështu u tha zyrtarisht nga regjimi serb) nga gjyqtarja Danica Marinkoviç, ndërsa po përpiqej të rishikonte dosjen e çështjes së Cen Dugollit.  Avokati Rukiqi kaloi tridhjetë ditë në burg dhe u rrah rëndë në pjesët vitale të trupit, për sa kohë qëndroi në burgun e Lipjanit.

Vdekjet në paraburgim

Policia serbe në burgun e Prishtinës, nën mbikqyrjen e gjyqtares serbe Danica Marinkovič, kishte ushtruar tortura të vazhdueshme ndaj Cenit, derisa dita e 16 gushtit kishte qenë fatale për të.  Ai u dërgua nga policia serbe në gjendje kome në spitalin e Prishtinës, mbrëmjen e vonë të 16 gushtit dhe vdiq të nesërmen me 17 gusht ne ora 12:10 nga dëmtimet e jashtme dhe të brendshme, të shkaktuara nga torturat e policisë serbe.  Ky raste ishte raportuar edhe sipas raportit zyrtar të autopsisë të parë nga Human Rights Watch.

Varrimi i Cenit

Me të marrë lajmin për vdekjen e tij, i pari person që më telefonoi ishte daja i Cenit, Ramadani, i cili ishte i brengosur se si do e bënim tërhekjen e trupit dhe varrosjen e tij, pasi që situata ishte shumë e rëndë në Kosovë.

Shkova në selinë e KMDLNJ-së, dhe për fat aty takova avokatin Bajram Kelmendi, ai u shpreh i gatshëm të më ndihmojë për të shkuar në Gjykatën serbe dhe për të nxjerrë lejen për tërhekjen e trupit të Cenit nga morgu i Prishtinës.

Shkuam së bashku te gjyqtarja hetuese Marinkovič dhe kërkuam që ajo të na jepte dokumentin e nevojshëm për ta tërhequr trupin nga morgu.

Pasi pritëm rreth një orë, më në fund na u dha një vërtetim me anë të secilit lejohej tërheqja e kufomës nga morgu.

U nisem për te morgu, së bashku me dajen e Cenit, ndërsa morgu ishte i rrethuar me njesitë speciale të policisë serbe.

Daja i Cenit, Ramadani, ishte në moshë të shtyer dhe i frikësuar që mund të më ndodh diçka e keqe edhe mua, mu lut që unë të prisja më larg dhe ai së bashku me një shofer të makinës për bartjen e kufomave të shkonte ta merrte Cenin. Ai shkoi përpara, por pas 10 minutave, u kthye i shqetësuar…

Policia kërkonte që unë te shkojë për ta tërhequr kufomën nga morgu, ashtu edhe ndodhi. Shkova së bashku me makinën dhe shoferin dhe pas kryerjes së atyre formaliteteve me dokumentaconin, më në fund e mora trupin e Cenit në makinë dhe u nisem për Ferizaj.

Derisa udhëtonim rrugës Prishtinë-Ferizaj, mendja më rrinte te familja, Nëna e Cenit Mihrija, bashkëshortja e Cenit Sanija, dhe fëmijët e vegjël binjakë, Liridona dhe Tafili, si dhe Leonora dhe Taulanti, se si do e përballonin ata këtë gjendje dhe si do e përballoja unë gjendjen e tyre më të dërguar trupin e Cenit në shtëpi!

Ju shpreha ngushëllime nënës së Cenit dhe bashkëshortes dhe i luta që të bëhen të fortë,  sepse ai kishte rënë për lirinë e Kosovës.

E futem arkivolin në shtëpi dhe vendosa ta hapi për ta parë trupin e tij dhe gjurmët e torturës. Aktivistë të KMDLNJ-së, dega në Ferizaj, ishin prezent dhe bënin foto për të dëshmuar gjurmët e torturës.

Pasi e bëmë fotografimin dhe po përgatitëshim për ta nisur për te varrezat e qytetit, nëna dhe gruaja e Cenit dëshironin ta shihnin trupin e tij. Iu thash, në rregull ejani, por tani femijët filluan të qanin, pasi edhe ata dëshironin të shihnin Cenin, qanin dhe kujtonin fjalën e policit serb… “babait tuaj do t’ia prejmë kokën”….

Fola me fëmijët dhe ju thash nëse me premtoni se nuk do qani, kemi për të hyrë në dhomë dhe kemi për të parë se babait nuk ia kanë prerë kokën…

Ishin çastet më të rënda që kisha përjetuar në jetë… Zoti më dha fuqi dhe u përmbajta nga lotët dhe vendosa që t’i lejoja edhe fëmijët të shihnin për herën e fundit trupin e babait të tyre.

Ashtu si e dhanë premtimin, asnjëri nga ne nuk derdhëm lotë atë ditë, në ato momente, ndërsa kjo foto që po publikohet për herën e parë e dëshmon këtë!

U nisëm te varrezat e qytetit, atë ditë kisha përshtypjen se të gjithë njerëzit nga qyteti i Ferizajt kishin dalur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Cenit.

Me 18 gusht 1998, ashtu edhe ndodhi, i dhamë lamtumirëm e fundit, Cen Tafil Dugolli, duke u betuar para trupit të tij se e kot është  politika e dhunës dhe e gjenocidit serb për të na ndalur drejtë rrugës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Vrasja e Cenit nga regjimi serb, ishte me plan e paramendim, ka akterë, urdhërdhënës, ka dëshmi të eleminimit të tij fizik për shkak të përkatësisë së tij etnike, por deri tash, askush nuk ka dalë para drejtësisë, për këtë rast e shumë raste tjera si ky!

Cen, vendi ynë tash është i lirë, fal gjakut dhe rënies tuaj dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve.

I përjetshëm kujtimi për Dëshmorët dhe Martirët e Kosovës!

Në këtë 23 vjetor të kësaj vrasje, u bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për drejtësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi…