Dukagjini, jo për aventurë në Superligë

18 gusht 2021 | 11:26

KF Dukagjini pritet të jetë skuadër stabile në elitën e futbollit të Kosovës. Për të arritur sukses në kampionatin 2020/2021, Dukagjini ka transferuar 13 futbollistë cilësorë. Të hënën ka paraqitur mesfushorin Bujar Shabani dhe portierin Kenan Haxhihamza.

Skuadra e Dukagjinit nga Klina ka realizuar 13 transferime në këtë afat kalimtar, por dyshen Bujar Shabani-Kenan Haxhihamza e ka paraqitur të hënën. Klubi nga Klina, që u rikthye në Superligën e Kosovës në futboll, ka qenë mjaft aktiv gjatë gjithë afatit kalimtar, derisa në edicionin ri pritet të jetë “arrë” e fortë për skuadrat kundërshtare.

Futbollisti nga Ferizaj, Bujar Shabani, edicionin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Dritës nga Gjilani, derisa në përfundim të kampionatit 2020/21 u largua dhe iu bashkua skuadrës së Shkupit me të cilën mori pjesë në garat ndërkombëtare. “Mesfushori defansiv ka një karrierë të pasur në futbollin shqiptar, pasi më parë ka luajtur edhe në klubin e Ferizajt dhe të Feronikelit, ndërkohë në Shqipëri ishte aktivizuar te klubi i Skënderbeut nga Korça. Shabani sezonin e kaluar ishte paraqitur në 34 ndeshje të Superligës, dy në Kupën e Kosovës dhe dy paraqitje i kishte në kualifikimet e Ligës së Evropës”, thuhet në njoftimin e Dukagjinit, raporton “Epoka e re”.

Të hënën klubi nga rrafshi i Dukagjinit e prezantoi edhe portierin Kenan Haxhihamza. Ky i fundit ka një karrierë mjaft të pasur në elitën e futbollit të Kosovës. Në edicionin e fundit Haxhihamza ishte pjesë e Ballkanit, kurse më herët e ka djersitur edhe fanellën e Gjilanit. “Kenan Haxhihamza i bashkohet Dukagjinit. Portieri rahovecian i bashkohet Klubit të Dukagjinit nga skuadra e Ballkanit. Haxhihamza, i lindur më 28 dhjetor 1996, i ka mbrojtur edhe ngjyrat e Gjilanit për katër sezone me radhë. 24-vjeçari tash e tutje do të jetë pjesë e klubit tonë, të cilit i urojmë mirëseardhje dhe suksese në fanellën bardhegjelbër”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Klina.

Portieri nga Rahoveci e ka falënderuar skuadrën e Dukagjinit për besimin e dhënë dhe është i bindur se do të ketë sukses me këtë klub. “Faleminderit për besimin për të qenë pjesë e KF Dukagjini. Puna dhe përkushtimi maksimal do të jenë bashkudhëtarë të mi në këtë rrugëtim që shpresoj në fund të shpërblehet me sukses. Mirë se të gjeta, Klinë!”, ka thënë Haxhihamza.

Skuadra e Dukagjinit në afatin kalimtar të verës ka transferuar këta futbollistë: Amer Duka, Arbër Shala, Argjend Bardhi, Henry Chibueze, Ergyn Ahmeti, Moriba Lamah, Ardin Dallku, Ermal Vitija, Ahmed Januzi, Jozef Kuqi dhe Jean Carioca.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhevahire Izmaku ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në…