“Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë” dhe heshtja qeveritare

21 gusht 2021 | 06:58

Valon Murati

Ka vite e vite, ka qeveri e qeveri, ka legjislatura e legjislatura kuvendi që nuk kanë arritur ta procedojnë ligjin e ri për arsimin e lartë, për shkak të statusit të një universiteti të mundshëm në Mitrovicën e veriut. Përveç të tjerash kjo vonesë ka vite që ka goditur mundësitë e një reformimi në sistemin tonë arsimor, duke mbetur peng i një ligji të ri. Sidoqoftë sot si ‘pa të keq’, përfaqësuesit e Serbisë, dhe të Listës Serbe i vunë themelet universitetit të financuar nga Serbia, që ata e quajnë, “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”.

A po realizohet ky projekt me apo pa bekimin e qeverisë tonë? Cili është qëndrimi i aleatëve tanë?

Asnjë reagim nga kryeministri, i cili në të kaluarën ka qenë më i zëshmi për situatën në veri dhe asnjë reagim nga asnjë dikaster qeveritar. Popullizmit të pafre opozitar, ia ka zënë vendin heshtja e pakuptueshme qeveritare. Me këtë veprim, Serbia qartazi po i fuqizon pozitat e veta deri në lumin Ibër, duke betonizuar kështu edhe ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Kjo situatë, si shumë të tjera në të kaluarën dhe si shumë të tjera që do të vijnë në të ardhmen, dëshmojnë se problemet reale të vendit nuk zgjidhen as me servilizëm por as me popullizëm e as me status quo, e cila është në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve sa më shumë që kalon koha.

Problemi i veriut është një problem i thellë politik që kërkon zgjidhje politike të guximshme dhe politikanë vizionar e burrështetas që ia zgjidhin këtij vendit problemet e nuk ia lënë peng gjeneratave të ardhshme. Nuk ka dyshim se një prej zgjidhjeve është që Kosova të kërkojë reciprocitet në të drejta dhe status të njëjtë për Kosovën Lindore në bisedimet me Serbinë si ato që i ka dhe kërkohen për veriun e Kosovës. Vonesa në këtë qasje dhe status-quoja e stërzgjatur, do të forcojë jo vetëm pozitën e Serbisë deri tek lumi Ibër, por do të jetë fatale edhe për fatin e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia rajonale në Prizren së bashku me inspektorët gjatë inspektimit…