Pavarësisht rritjes së madhe të rasteve me Covid, mësimi fillon më 1 shtator në objekte shkollore

22 gusht 2021 | 12:06

Pavarësisht prej rritjes së madhe të numrit të rasteve me Covid-19, Ministria Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se fillimi i vitit të ri shkollor do të nisë me kohë.

Zëvendësministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, ka bërë me dije se kjo ministri është duke i bërë të gjitha përgatitjet që ky vit shkollor të nisë më 1 shtator.

Duke folur për përgatitjet që janë duke u bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22, Maloku-Bërdyna ka thënë se në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit do të sigurohen që shkollat t’i plotësojnë kushtet si nga ana infrastrukturore, por edhe në bazë të rekomandimeve të IKShPK-së që mësimdhënësit të jenë të vaksinuar. “Na ndajnë edhe pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Ne jemi duke bërë përgatitjet që mësimi të fillojë me kohë, pra më 1 shtator”, ka thënë ajo, shkruan “Epoka e re”.

Maloku-Bërdyna ka treguar se është dyfishuar numri i personelit arsimor të vaksinuar në dy javët e fundit. “Numri i personelit arsimor të vaksinuar bashkë me stafin e arsimit të lartë dhe studentët është 55 094, krahasuar me dy javë më parë, ku totali ka qenë 29 878, tani kemi 55 094. Kemi dyfishim të vaksinuarve gjatë dy javëve”, është shprehur ajo, duke shtuar se MAShTI do t’i përkrahë shkollat me maska dhe dezinfektues.

Për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor ndryshe mendon opozita.

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala, ka akuzuar MAShTI-n se po e dështon edhe një vit të ri shkollor për shkak të keqmenaxhimit me pandeminë.

Ai ka thënë se kjo ministri nuk i ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

“PDK-ja e konsideron jashtëzakonisht të papranueshme, zhgënjyese dhe dështim fund e krye të qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit që nuk ka arritur t’i bëjë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator tani që situata me pandeminë Covid-19 është rënduar dhe numri i rasteve të infektuara me virusin ‘Delta’ po rritet çdo ditë”, ka thënë ai.

Shala i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, në të kundërtën do të zbehet besimi i mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krizë pandemie. “Ministria e Arsimit nuk është fare e informuar për gjendjen në terren. Në vend të përgatitjeve intensive, ata e kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash. Me këtë situatë të rënduar e ardhmja e fëmijëve tanë është duke u shkatërruar, rrjedhimisht edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social”, ka deklaruar Shala.

Rreth përgatitjeve për fillimin e procesit mësimor është deklaruar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës e Kosovës (SBAShK).

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Epokën e re” se e vërteta për këto përgatitje do të dihet shumë shpejt.

“Në takimin që kishim këtë të martë me grupin punues të MASTI-t lidhur me Udhëzimin Administrativ për Kalendarin shkollor për vitin e ri shkollor na është thënë se ata konsiderojnë, bazuar në raportet nga drejtoritë arsimore, se janë bërë përgatitjet e duhura për nismë të mbarë të vitit të ri shkollor dhe urojmë të jetë kështu. Por, nga praktikat e viteve të kaluar, ka nga DKA-të që gjendjen nuk e paraqesin reale”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka treguar se nga java e ardhshme vetë kjo sindikatë do të mbledhë informata për këtë proces.

“Ne nga e hëna do të mbledhim shënime të sakta nga kryetarët e shoqatave sindikale nga të gjitha shkollat e Kosovës dhe nga kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe do të bazohemi në ato informata sepse gjithmonë kanë qenë korrekte dhe të sakta dhe pastaj, në bazë të tyre, edhe do të dalim publikisht me vlerësimin lidhur me atë se janë dhe sa janë përgatitur institucionet arsimore për fillimin e vitit të ri shkollor. Institucionet duhet ta kenë të qartë se përgatitjet që janë bërë në të kaluarën, kur nuk kemi pasur probleme shtesë me Covidin, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk janë bërë përgatitje e angazhime shtesë, ngaqë tani versioni i ri i Covidit, pra ‘Delta’, po prek edhe fëmijët dhe moshat e reja, që në vitin e kaluar shkollor nuk ishte kështu, prandaj përgatitjet duhet të jenë maksimale”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka theksuar se mësimdhënësit janë të gatshëm që mësimin ta fillojnë në objektet shkollore. “E vërteta se a janë dhe sa janë të përgatitura institucionet arsimore për të filluar mbarë viti i ri shkollor do të dalë shpejt në shesh. Neve na gëzon fakti se punëtorët e arsimit kanë dëgjuar apelin tonë dhe është shtuar shumë numri i të vaksinuarve, po ashtu krenohemi me gatishmërinë e tyre që mësimin ta nisin në objekte shkollore”, ka thënë Jasharaj.

Zyrtarët më të lartë qeveritarë vazhdimisht kanë thënë se vaksinimi i mësimdhënësve dhe respektimi i masave kundër Covidit është domosdoshmëri për ta mundësuar fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Plot 2 vite të divorcuar, megjithatë duket se dashuria mes…