RrGK-ja kërkon dënimin maksimal të fajtorëve për vrasjen e 18-vjeçares

23 gusht 2021 | 13:46

Dita e diel ishte e kobshme për një vajzë 18-vjeçare, e cila u la pa shenja jete në qendrën emergjente të Ferizajt.

Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë”, dhe deri më tani është arrestuar një i dyshuar, kurse i dyshuari i dytë gjendet në arrati.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes një reagimi ka theksuar se ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve. Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurfar llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, është theksuar në këtë reagim.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal.

Po ashtu, përmes kësaj këtij reagimi, RrGK-ja ka njoftuar se do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend.

“Njëherit, u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjmë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës – vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave. RrGK nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, është theksuar në reagimin e RrGK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon…