Kryetari i PDK-së i shkruan Kurtit: Reagim urgjent dhe front i përbashkët për ta ndalur hovin e pandemisë

31 gusht 2021 | 16:50

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar të martën një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, përmes së cilës ai ka shprehur shqetësimin për gjendjen e rëndë të pandemisë dhe mungesën e një menaxhimi efikas.

Në letrën e tij, lideri i opozitës ka shprehur kërkesën dhe gatishmërinë e PDK-së që deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndërprejnë pushimin dhe t’i kthehen mënjëherë punës për të gjetur mundësi të mbështetjes për qytetarët në këto kohë të vështira.

“Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për buxhetin për ta trajtuar pandeminë, PDK-ja e konsideron të domosdosëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Rrjedhimisht, PDK-ja e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendimeve për tejkalimin e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera.

Ai ka bërë me dije, se për këtë do të bisedojë  edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Na duhet një front i përbashkët, e jo një luftë e brendshme politike, për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë dhe kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të…