Kurti kërkon ndihmën e Sllovenisë për Kosovën

01 shtator 2021 | 16:31

Avancimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, ishin tema e takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Në takimin e mbajtur në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kurti ka falënderuar presidentin Pahor për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë, një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës.

Ai ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Sllovenisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Republikës së Kosovës ndaj nismave politike që krijojnë konfuzion e ndarje në Ballkan, ndërsa konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së dhe marrëdhëniet transatlantike.

Kurti vlerësoi faktin që Sllovenia udhëheq me presidencën e BE-së dhe mirëpret vullnetin për angazhimin e Sllovenisë për të mbështetur Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim euroatlantik.

Presidenti Pahor ka theksuar se gjatë presidencës së BE-së, që ka filluar në korrik, një ndër prioritetet e Sllovenisë është Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian.

Në këtë takim u ritheksua përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe zhvillimor mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve në të mirë të të dy popujve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjyqtari nga Kosova me pasaportë zvicerane, Bekim Zogaj do të…